TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Aurel Plasari/
Për ata që pyesin: FASHIZMI LIBERAL Historia e fshehtë e së majtës nga Mussolini te “politika e domethënies” Jonah Goldberg, 2008
* * *
Nga parathënia:
“Fashizmi është një fe shtetërore. Ai merr përsipër unitetin organik të korpusit politik dhe dëshiron një lider kombëtar në sintoni me vullnetin e popullit. Ai është totalitar në kuptimin që e sheh gjithçka si politike dhe pandeh se çdo veprim nga ana e shtetit është i justifikuar për të mbërritur objektivin e përbashkët.
Ai merr përgjegjësi për të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë shëndetin tuaj dhe mirëqenien tuaj, dhe synon të imponojë uniformitetin e të menduarit, qoftë me anë të forcës, qoftë me anë të rregullave ose të presionit social. Gjithçka, përfshirë ekonomi dhe fe, duhet të jetë në linjë me objektivat e tij.
Çdo identitet rival është pjesë e “problemit” dhe prandaj i përcaktuar si armik. Unë do të argumentoj që liberalizmi bashkëkohor amerikan i mishëron të gjitha këto aspekte të fashizmit”.
* * *
Libri i Goldbergut, që po e rekomandoj, është “provokativ”, por prandaj ia vlen të lexohet. Po përshkruaj përmbajtjen për të pasur një ide se për çfarë bëhet fjalë.
Hyrje: Gjithë sa dini për fashizmin është e gabuar.
1) Mussolini: babai i fashizmit.
2) Adolf Hitleri: njeri i së majtës.
3) Woodrow Wilsoni dhe lindja e fashizmit liberal.
4) New Deal: projekti fashist i Franklin Roosveltit.
5) Vitet ’60: fashizmi zbret në rrugë.
6) Nga miti i Kennedy-t tek ëndrra e Johnsonit: fashizmi liberal dhe kulti i shtetit.
7) Racizmi liberal: fryma e eugjenisë në makinerinë fashiste
8) Racizmi liberal dhe ekonomia.
9) I mrekullueshmi fshat i ri: Hillary Clintoni dhe domethënia e fashizmit liberal.
10) Epoka e re: tani jemi që të gjithë fashistë.
Pasthënie: Tundimi i konservatorizmit.
* * *
Teza qendrore e Goldbergut – sigurisht duke e thjeshtuar – është që e majta progresiste e ShBA, i ashtuquajturi “liberalizëm amerikan”, ka rrënjë të përbashkëta me fashizmin europian të para-Luftës. Liberalizmi i së majtës dhe fashizmi janë pjesë të së njëjtës familje doktrinore.
Fashizmi i lulëzuar në Italinë e Mussolinit pati për burim një lëvizje ndërkombëtare idesh që në vende të ndryshme mori forma të ndryshme: në Gjermani u shndërrua shpejt në një nacionalizëm racist gjenocidal, në Shtetet e Bashkuara – thotë Goldbergu – mori një formë më miqësore, të zbutur nga tradita demokratike amerikane, “veshi formën e liberalizmit majtist progresist”.
Kjo e bën edhe më të qartë faktin se përse botimi i këtij libri është shtyrë katër herë dhe përse, me t’u botuar më 2008, u bë brenda javës libri më i shitur me temë politike në ShBA dhe në më pak se dy muaj u bë nr. 1 në listën e bestsellerëve të “New York Times”-it.
Me tezën e tij Goldbergu nxjerr nga hija në dritë një aspekt shumë të rëndësishëm lidhur me rrënjët e përbashkëta ideologjike të fashizmit dhe të liberalizmit të së majtës, liberalizmit progresist.
Na kujton fakte që mund t’i kemi “harruar”: që Mussolini e konsideronte veten deri në vdekje njeri të së majtës dhe socialist, i cili nëpërmjet nacionalizmit dhe riorganizimit korporatist të shtetit e të ekonomisë u orvat t’i gjente një alternativë të quajturit “liberalizëm klasik” të shek. XIX, ngjashëm si progresistët amerikanë.
Mussolini pati qenë një personalitet aq i rëndësishëm socialist sa të admirohej prej Leninit ! Ose që mund të kemi “harruar”, për shkak të klisheve doktrinore, se Hitleri ishte lideri i Partisë Nacional-Socialiste të Punëtorëve Gjermanë dhe se vetë termi “nazist” është një shkurtesë nga “Nacional-Socialist”.
Etj. Pothuaj të gjitha temat e librat janë tema që na përkasin edhe neve. Sot pretendojmë të jemi pjesë e “botës perëndimore”. Debatet e ideve amerikane dhe euro-perëndimore na takojnë drejtpërsëdrejti. Ato ndikojnë në jetën tonë jo vetëm në nivel institucional, politik ose ekonomik, por edhe në nivel vetjak.
Për më shumë: duam, s’duam, majtizmi progresist i llojit amerikan po bëhet rrymë zotëruese në të majtën intelektuale dhe mass-median perëndimore.
Edhe në Shqipëri, ndërsa pak-nga-pak po shkohet drejt të ashtuquajturit “komfort” të kapitalizmit, shohim se si më të rinjtë përqafojnë me të njëjtën pafajní dhe të njëjtin entuziazëm si dhe të rinjtë perëndimorë temat progresiste-majtiste.
Vini re tezën nga Parathënia e librit: “Gjithçka, përfshirë ekonomi dhe fe, duhet të jetë në linjë me objektivat e tij (të liderit). Çdo identitet rival është pjesë e “problemit” dhe prandaj i përcaktuar si armik”.
Tani llogarisni dy ministrat e rinj të qeverisë aktuale: këta, haptazi dhe në mënyrë publike, çdokënd që mendon ndryshe e cilësojnë “armik të kryeministrit”, “amik të demokracisë” etj. Shembuj ilustrues ka plot; mund t’i gjeni vetë.
Kështu që jemi dhe do të jemi – na pëlqen a s’na pëlqen – të ballafaquar gjithnjë më shumë me ndikimin e ideve të rrahura në librin e Goldbergut.
