AKTUALITET, 25 Mars 2023, 16:09

Zbardhen debatet në PD/ Tre skenarët e propozuar në mbledhjen maratonë për zgjedhjet, Çupi e Tabaku kundër Alibeajt

Zbardhen debatet në PD/ Tre skenarët e propozuar në mbledhjen

Enkeljed Alibeaj, u përball dje në mbledhjen e kryesisë me thirrjet për unifikimin e partisë dhe daljen me 1 kandidat të përbashkët mes palëve.

Por, situata duket se do të jetë e njëjtë me atë të 6 marsit. Demokratët do të ndajnë votat mes ish liderit të tyre historik, Sali Berisha dhe PD-ja zyrtare që drejtohet nga kreu i komanduar, Enkelejd Alibeaj.

Grupimi Alibeaj ka marrë tri propozime nga të cilat mund të zgjedhë për kandidatin që do të përfaqësojë partinë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Mësohet se emrat e propozuar janë Rudi Erebara, Jonila Godole dhe Roland Bejko.

Grupi i demokratëve që mban zyrtarisht logon e PD-së pritet të vendosë sot se si do të garojë në zgjedhjet e 14 majit. Alibeaj mblodhi dje Kryesinë dhe Grupin Parlamentar, por pas më shumë se 7 orë debatesh ende nuk ka një vendim përfundimtar për betejën për 61 bashkitë e vendit.

Forumet janë ndarë në tre grupime. Grupi i parë i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj mendon që PD-ja duhet të garojë në 61 bashki me kandidatë për kryetar dhe Këshilla Bashkiakë. Kjo tezë mbështetet nga Roland Bejko, Jonila Godole, Fitim Zekthi. Edhe deputetët Kreshnik Çollaku e Oriola Pampuri mendojnë që duhet të garojnë kudo, përveç bashkive ku baza ka gjetur dakordësi.

Grupi i dytë i drejtuar nga Gazment Bardhi e Jorida Tabaku mendojnë që PD nuk duhet të dëmtojë shanset për fitore të demokratëve dhe kandidatëve të Primareve, prandaj nuk duhet të nxjerrë kandidatë për kryetarë bashkie. Pjesë e këtij grupi janë Dhurata Çupi, Flamur Hoxha, Dashnor Sula, Bledion Nallbati.

Sipas tyre, PDja duhet të garojë vetëm me kandidatë për këshillat bashkiakë. Mësohet se Jorida Tabaku ka deklaruar se demokratët kanë vetëm një kundërshtar, qeverinë dhe nuk ka asnjë justifikim që PD të shërbejë për të përçarë votën e opozitës.

“Kam ndarë të njëjtin qëndrim që kisha në shtator, opozita duhet të dalë me kandidatë unikë! Nuk duhet në asnjë mënyrë qe ne të bëjmë betejë kundër nesh, ne kemi një kundërshtar kemi qeverinë dhe asnjë arsye dhe asnjë justifikim të jemi ne ata që përçajnë votën e opozitës!

Ne duhet të mbrojmë logon e PD, duhet të nxjerrim Partinë Demokratike si alternativë në këto zgjedhje! Unë nuk e bëj dot që të kërkoj votën kundër komenteve të mia! Unë nuk kam asnjë dyshim që ne për të fituar duhet të jemi bashkë, duhet të jemi dhe më shumë se kaq!”, mësohet të jetë shprehur Tabaku.

Dhurata Çupi këmbëngul që PD duhet të shkojë e bashkuar në zgjedhjet e 14 majit. Sipas saj, Alibeaj dhe Bardhi duhet të bëjnë të pamundurën për bashkimin me Berishën. Në të kundërt, sipas saj rrezikojnë zvogëlim akoma më të madh nëse ndahen.

“Së pari ne duhet të mbajmë strukturat unike dhe fakti që kemi mendim pothuajse gjysmë për gjysmë kemi rrezikun që të ndahemi edhe një here e mund të zvogëlohemi përsëri. Kjo është përgjegjësi direkt e juaja Enkelejd dhe Gaz. Ju duhet të jeni përbashkues.

Së dyti, kam refuzuar sulmet e Foltores si të shitur e të blerë dhe sot refuzoj akuzat këtu që ne që kemi mendim ndryshe të konsiderohemi që shohim interesat tona. Këtë e refuzoj edhe këtu. Më dhemb PD dhe do bëj çmos të rritet PD dhe të bashkohet sa të mundet.

Ne kemi optimizmin të dalim me listën e këshillave bashkiak dinjitoze dhe figura dinjitoze dhe të votohemi shumë më shume se partitë e tjera. Ndërkohë nuk duhet te dalim me kandidatura për kryetar bashkie. Dhe këtë e kam për të mirën e PD dhe të bashkimit”, tha Çupi.

Por ka një grup të tretë që mendon se PD duhet të garojë në disa bashki, vetëm aty ku mendon se kandidatët janë fitues. Kjo ide është propozuar nga Agron Kapllanaj, shkruan Panorama.

Kreu i Komanduar, Enkelejd Alibeaj në një prononcim për mediat në përfundim të diskutimeve, deklaroi se qytetarët do informohen në vijim lidhur me strategjinë që PD do ndjekë për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Alibeaj bëri me dije se PD do të vijojë mbledhjet me strukturat e saj deri në marrjen e një vendimi përfundimtar zyrtarë për alternativat e daljes në zgjedhjet lokale të 14 majit. Për herë të parë Alibeaj ishte marrë në mbrojtje nga Forcat e Gardës, shenjë kjo se qeveria e njeh atë si kryetar të PD-së.

EMRAT E PD PËR TIRANËN

Roland Bejko

Rudi Erebara

Jonila Godole