TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia Demokratike doli në një konferencë për shtyp pas publikimit të raportit të Avokatit të Popullit për vdekjen e të riut Lear Kurti.
“Përgjegjësit kryesorë të fshehjes së të vërtetës dhe implikimit të policisë në kundraligjshmëri janë Ardi Veliu dhe Bledi Çuçi,” tha zëdhënësja, Floriana Garo.
Deklarata e plotë:
Avokati i Popullit, në një raport për vdekjen e 32 vjecarit Lear Kurti, hedh poshtë pretendimet e Policisë dhe përligj qëndrimet e Partisë Demokratike, që e ka konsideruar që në fillim “krim shtetëror” vdekjen e të riut.
Avokati i Popullit konkludon: Së pari, vdekja e Leart Kurtit lidhet direkt me veprimet e policisë ndaj tij dhe së dyti, Ardi Veliu fshehu, falsifikoi dhe manipuloi rrethanat e vdekjes së të riut Leart Kurti.
Në raport thuhet se vdekja e Kurtit mund të parandalohej nëse punonjësit e policisë do të kishin kryer veprimet e duhura.
Po sipas Avokatit të Popullit, shoqërimi i të riut ka qenë në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi nuk mund të bëhet shoqërimi i një personi duke u mbështetur në dyshime të paarsyeshme. Sikundër denoncohet edhe mosdërgimi i tij në spital.
Në këto rrethana, thekson raporti, punonjësit e policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu raporti thekson se mungesa e procedurave dhe dokumentimit të shoqërimit në komisariat të të riut përbën shkelje të rëndë disiplinore.
Avokati i Popullit ngre shqetësimin për mosvënien në dispozicion të materialeve filmike të shoqërimit të Lear Kurtit. Sipas raportit, pamjet janë siguruar nga materialet e publikuara në një emision televiziv.
Partia Demokratike kujton publikun se përpjekjet për të manipuluar ngjarjen kanë qenë intensive dhe janë dirigjuar nga Ardi Veliu dhe ministri i familjes Çuçi. Këto të dhëna të Avokatit të Popullit dëshmojnë qartë se 32-vjeçari humbi jetën pas abuzimit dhe paaftësisë policore.
Për më shumë të dhënat e raportit hedhin poshtë përfundimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, strofulla ku Ardi Veliu shtrembëron të vërtetat dhe përdhos edhe të vdekurit për t’i shërbyer shefave politikë të Rilindjes. Veliu i partisë konkludoi “se nuk ishin vërejtur veprime të kundraligjshme nga policët gjatë shoqërimit të 32-vjeçarit”.
Partia Demokratike, siç e ka theksuar që nga fillimi, e konsideron krim shtetëror vdekjen e të riut dhe inkurajon organet ligjzbatuese të ccojnë para ligjit përgjegjësit kryesorë të fshehjes së të vërtetës dhe implikimit të Policisë në kundraligjshmëri, Ardi Veliu dhe Bledi Çuçi.
Lear Kurti është vetëm një prej të vrarëve dhe të dhunuarve, edhe pas vdekjes, nga Policia dhe pushteti. Klodian Rasha është shembulli më flagrant, më i dhimbshëm, më makabër i një policie që të vret pas shpine dhe të shpifet në sy të botës. Që është aty për të mbrojtur nga krimi dhe bëhet vetë sinonimi i kriminalitetit.