AKTUALITET, 28 Mars 2023, 17:14

Trafiku i kokainës, raporti i SPAK zbulon “tregun” e grupeve shqiptare dhe ku fshehin paratë

Trafiku i kokainës, raporti i SPAK zbulon “tregun” e grupeve

Grupet e strukturuara kriminale të drejtuar nga shtetasit shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligj-zbatuese kombëtare si grupe kriminale me ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës.

Për më tepër, vihet re një rritje e sofistikimit të krimit, e komunikimi mes anëtarëve të grupit, e lidhjes me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe e mënyrave të pastrimit të parave.

Konstatimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, në raportin vjetor të vitit 2022, një kopje e të cilit është siguruara nga A2.

Sipas raportit, grupet kriminale me prijës shqiptarë, janë përfshirë kryesish në trafikimin e kanabisit dhe të kokainës. Referuar të dhënave të SPAK, këto grupe janë aktive jo vetëm në rajon, por edhe në disa vende të Bashkimit Evropian, në Britaninë e Madhe, në Turqi, por edhe në SHBA.

Veçanti e grupimeve të strukturuara të drejtuar nga shqiptarët shihet krijimi i një qasjeje të drejtpërdrejtë në vendet e origjinës të prodhimit të kokainës, duke krijuar lidhje të forta me organizatat kriminale në Amerikën Latine.

Raporti zbulon edhe ndryshimin e mënyrave të lëvizjes së parave të fituara nga trafiku i drogës, duke rritur vështirësinë e gjurmimit të tyre nga organet ligj-zbatuese.

Kështu, sipas SPAK, vërehet një tendencë për t’i përcjellë paratë jashtë juridiksionit shqiptar, në kompanitë offshore, apo në parajsa fiskale.

Prokuroria e Posaçme konstaton se grupimet kriminale shqiptare po përdorin sistem informale të transfertave të parave si “havala”,“hundi” apo “fei chen”.

Përmes këtyre sistemeve, që operojnë jashtë sistemeve bankare, grupimet dërgojnë paratë në parajsa fiskale në vende si Qipro, San Marino apo dhe Dubai.

Problematike nga SPAK konsiderohet edhe faktin se në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në qytetin e Dubait, qëndrojnë një numër i lartë të kërkuarish me masa sigurimi “arrest në burg” për vepra penale në kuadër të krimit të organizuar, për të cilët nuk po jepet ekstradimi nga autoritetet e drejtësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.