AKTUALITET, 8 Gusht 2022, 16:27

Tjetër vatër zjarri në Mat, era pengon punën e zjarrfikësve

Tjetër vatër zjarri në Mat, era pengon punën e

Pyjet vijojnë të digjen edhe në bashkinë e Matit. Pas shuarjes më shumë mundim të vatrës së zjarrit në Njësinë Administrative Komsi, një tjetër vatër zjarri u aktivizua në Mat nga krahu i Mirditës. Bëhet fjalë për zjarrin e shfaqur në vendin e quajtur Mali i Toles, në fshatin Lam i Madh të Njësisë Administrative Derjan.

Forca të Bashkisë Mat, të mbështetura nga forcat e Ushtrisë, po punojnë pa ndërprerje për shuarjen edhe të kësaj vatre zjarri, por situata mbetet e vështirë, pasi tymi i shpërndarë nga era pengon punën e zjarrfikësve. Nga vendi i ngjarjes raportohet se të paktën në tre raste janë detyruar të tërhiqen pasi rrezikohej jeta e njerëzve. Puna po vazhdon, dhe, në disa vatra në drejtime të ndryshme janë izoluar flakët duke u shpëtuar zona pyjore.

Megjithatë zjarri mbetet aktiv dhe paraqet rrezik për dëme të mëdha në krahun e Mirditës pasi ka avancuar shumë e nuk ka ndërhyrje forcash për shuarjen e tij. Ndërsa në zonën e Matit po punojnë aktualisht 47 forca, ku 20 janë forca të ushtrisë.