AKTUALITET, 8 Gusht 2022, 13:57

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 26 vatra në 24 orë

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 26 vatra në 24 orë

Situata e zjarreve në vendin tonë vijon të jetë tepër problematike.

Përveç qarkut të Kukësit dhe Vlorës, ku niveli i rrezikut vlerësohet i moderuar, në 10 qarqet e tjera, sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, rrezikshmëria për zjarret është e lartë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë regjistruar 26 vatra zjarri.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC  janë shuar vatrat në:

në fshatin Burim, Dibër;
në fshatin Mëhallëz, bashkia Divjakë;
në fshatin Shënavlash, bashkia Durrës;
në fshatrat Gorishovë dhe Drizë Myrteza, bashkia Fier;
në fshatin Rrikaj, bashkia Kavajë;
në Pyllëzimin e Ersekës dhe fshatin Taç Qendër, bashkia Kolonjë;
në fshatin Boboshticë, bashkia Korçë;
në Kodrën e Delvinëve dhe fshatin Zgërdhesh, bashkia Krujë;
në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër;
në fshatin Zenisht, bashkia Mat;
në fshatin Plashnik i Madh, bashkia Poliçan;
në fshatin Hadëraj, bashkia Selenicë;
në fshatin Shëngjergj, bashkia Tiranë;
në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë;
në fshatin Çepan, bashkia Skrapar.

Në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 588 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 49 mjete zjarrfikëse. Aktualisht janë aktive vatrat në:

Në fshatin Gjysulkanë, bashkia Tiranë, ka rënë një zjarr masiv në zonën pyjore të këtij fshati i cili rrezikoi edhe banesat. Janë angazhuar në shuarjen e vatrave forcat e Bashkisë Tiranë të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës.
Vazhdon të jetë aktiv zjarri në vendin e quajtur “Bjeshka e Bregut”, fshati Ura e Shtrenjtë dhe fshati Vilëz, njësia administrative Postribë, bashkia Shkodër, janë angazhuar për shuarjen e kësaj forcat zjarrfikëse, 60 efektive te Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës.

Në vendin e quajtur Mali i Tolës në fshatin Lam i Madh, bashkia Mat, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Janë angazhuar forcat në nivel vendor, punonjës të shërbimit pyjor 30 efektive nga FA.

Bashkia Durrës, në fshatin Shetaj, ka vazhduar puna në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit. Operacioni vijon
Në fshatin Zezë, bashkia Krujë, është punuar për izolimin dhe shuarjen e zjarrit të rënë mbrëmjen e djeshme në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra ku janë rrezikuar dhe banesa. Janë aktivizuar forcat zjarrfikëse të bashkisë Krujë, Kamëz, Tiranë dhe Vorë të mbështetur me 2 zjarrfikëse të FA.

Në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, për vënien nën kontroll dhe shuarjen e zjarri janë aktivizuar forcat zjarrfikëse, forca nga pushteti vendor, 50 efektivë të FA të mbështetura dhe nga helikopteri i FA. Operacioni ka filluar në orët e para të mëngjesit.

Në fshatin Shpërdhezë, bashkia Mirditë, në harkun kohor prej një ore janë aktivizuar mbi 10 vatra zjarri duke filluar nga fshati Shpërdhezë dhe në drejtim të fshatit Bukmirë. Zjarri ka përfshirë sipërfaqe me vreshta dhe pyll lisi. Janë aktivizuar forcat zjarrfikëse të bashkisë Mirditë, bashkia Lezhë dhe 4 zjarrfikëse të FA, forcat të pushtetit vendor të mbështetur nga ajri me helikopterin e FA. U arrit të mbrohet fshati Shpërrdhezë. Zjarri konsiderohet i qëllimshëm, banorët kanë bërë denoncim pranë Komisariatit të Policisë të bashkisë Mirditë. Operacioni vijon

Në fshatin Kusarth, bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe kodre me ullishte. Janë aktivizuar për vënien nën kontroll të zjarrit forcat zjarrfikëse të bashkisë Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh, forca nga pushteti vendor dhe vullnetarë. Operacioni vijon me mbështetjen e 30 efektiveve të FA për shuarjen përfundimtare.