AKTUALITET, 8 Gusht 2022, 15:45

“Nëse i pyet për të ardhmen, vizatojnë një kamion ose varkë”/ Met Veliu i tregon medias britanike “ëndrrat” e çunave' të veriut

“Nëse i pyet për të ardhmen, vizatojnë një kamion
Foto ilustrim

Një raport sekret i inteligjencës ushtarake në MB, i siguruar nga gazetari Mark Hookham për The Mail on Sunday, sugjeron se një numër i konsiderushëm emigrantësh të paligjshëm nga Shqipëria tentojnë të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, nëpërmjet grupeve kriminale që mundësojnë kalimin me gomone, kundrejt shumave të majme. 

Sipas raportit, nga 1 Qershori deri në 12 Korrik, rreth 1,075 persona nga Shqipëria u trafikuan nga grupet kriminale drejte MB-së.

Lajmi ka shkaktuar mjaft debate në Mbretërinë e Bashkuar, për faktin se Shqipëria nuk është një vend në luftë apo konflikt, për rrjedhojë bëhet fjalë kryesisht për emigracion për shkaqe ekonomike.

Një nga personat që ka folur për Mail on Sunday, është gazetari Muhamed Veliu i Top Channel, sipas të cilit, synimi i pjesës dërrmuese të djemve në veri të Shqipërisë është emigrimi drejt Mbretërisë së Bashkuar. 

'Nëse shkoni në një shkollë 9 vjecare në veri të Shqipërisë dhe pyesni fëmijët të përshkruajnë të ardhmen e tyre, të gjithë djemtë vizatojnë një kamion ose varkë me flamur shqiptar, duke shkuar në Mbretërinë e Bashkuar', tha Veliu për gazetarin Hookham. 

‘Ata e dinë se sa mirë po u ecën familjarëve të tyre – punësohen në MB dhe janë rregulluar. Ata mendojnë, “Përse të harxhojmë kohë në veri të Shqipëri duke mos bërë asgjë? Le të shkojmë në MB, të punojmë dhe të kthehemi me makina të luksoze , si të tjerët që kanë vajtur para nesh”, shtoi Veliu. 

Emigrimi dhe azilkërkuesit, janë  një çështje mjaft e ndjeshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe politikat e qeverisë për frenimin e tyre, si dërgimi i azilantëve në Ruanda për tu shqyrtuar jashtë territorit të MB , e kanë polarizuar shoqërinë.