AKTUALITET, 13 Korrik 2024, 19:57

Të shkarkuarit nga Vetting-u kërkojnë paratë! Fatura miliona euro për pagat dhe pensionet suplementare

Të shkarkuarit nga Vetting-u kërkojnë paratë! Fatura miliona

E ndërsa shumë prej tyre i janë drejtuar Strasburgut me pretendimin se janë larguar pa të drejtë nga Vettingu, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar me vendim të formës së prerë po kërkojnë nga gjykata administrative në Shqipëri pagën kalimtare deri në një vit.

Kërkesa e të shkarkuarve që në buxhetin e shtetit llogaritet mijëra euro, bazohet në skemën e pensioneve suplementare.

Deri më tani janë shpallur 776 vendime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, prej të cilave 258 janë vendime shkarkimi dhe për 102 të tjerë është ndërprerë procesi.

Për gjyqtarët  që janë shkarkuar nga shkalla e parë fatura e pagesës së tyre sipas KLGJ është 194 milionë lekë dhe një faturë e tillë e përafërt është edhe për prokurorët.

Efekti financiar për gjyqtarët e shkarkuar deklarohet nga KLGJ përmbi 614 milionë lekë. Mes këtyre proceseve për shkarkimet nga Vetting, ish-gjyqtari Tritan Hamitaj, ka hapur një tjetër kazus.

Ai ka paditur KPK dhe KPA mbasi ndonëse është i shkarkuar i formës së prerë nuk i vendoset në dispozicion materiali konfidencial. Arsyeja tjetër lidhet me shortin.

“Kush dhe si u hodh shorti? Nga KPK më kanë kthyer përgjigje që aktet që ne disponojmë të dosjes tënde jua kemi vënë në dispozicion. Janë 2955 fletë, nga këto akte mungon procesverbali i shortit. Ia kam kërkuar në mënyrë specifike dhe më kanë thënë i ke aktet e plota. Kjo tregon se KPK ka kryer një akt pa short”, tha ish-gjyqtari Tritan Hamitaj.

Kanë mbetur duke pritur Vettingun edhe 29 subjekte në shkallën e parë. Të tjerët e vijojnë betejën në KPA që ka fuqinë e gjykatës kushtetuese.