NË FOKUS, 29 Dhjetor 2022, 22:26

Sejamini: Ka një problem të kriminalitetit shqiptar në Britani. Shqiptarët kërkojnë të drejta, por të merresh me drogë nuk është një e drejtë!

Sejamini: Ka një problem të kriminalitetit shqiptar në Britani.
Neritan Sejamini në TPZ

Neritan Sejamini thotë se kriminaliteti shqiptar në Britani është shqetësues dhe një tregues për këtë është popullata e burgjeve në MB, ku shqiptarët janë të parët nga kombësia e huaj që i popullojnë këto burgje, duke ia kaluar edhe vendeve si Polonia dhe Rumania, të cilët kanë shumë më tepër emigrantë në MB. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini deklaroi se shqiptarët duhet të shohin realitetin dhe jo të ankohen për shkelje të të drejtave, ndërkohë që "operacionin" e kryeministrit Rama, që u ankua në mediat britanike pas dyndjes së shqiptarëve që kalonin La Manshin me gomone, e quajti propagandistik dhe pa lidhje me realitetin. 

"Në qershor 2022, popullsia e burgjeve britanike janë 1336 shqiptarë, vendi i parë për nga nacionaliteti. E dyta është Polonia me 830 të burgosur. Polonia është 40 milionë banorë dhe janë në Bashkimin Europian dhe ka patur të drejtën e punës, kanë ikur shumë polakë. Në vend të tretë është Ruamania me 752 rumunë për 20 milionë banorë. Ke një popull 2.7 milionë banorë dhe kanë të burgosur 1336, në vend të parë në botë.

Ne duhet të pranojmë se kemi një problem të kriminalitetit shqiptar në Britaninë e Madhe. E dyta, duhet të pranojmë se nuk na kanë për detyrim britanikët të na durojnë, të na respektojnë të drejtat, të drejtat tona respektohen këtu, ata duhet të respektojnë të drejtat ndërkombëtare. Nuk ka të drejtë të shkosh dhe të merresh me drogë në Britani.

E treta, jam i shqetësuar dhe i habitur nga shumë figura të nderuara në Britaninë e Madhe që në vend ti bëjnë thirrje bashkëatdhetarëve të tyre, që të distancohen nga droga dhe keqbërja, dalin dhe mburren që ne paguajmë taksa, pse na fyeni dhe ofendoni.

Edi Rama me këtë krizë, ka bërë një operacion propagandistik fantastik, sepse injektoi patriotizmin fallco, u mor me cështjen që Sekretarja britanike tha dicka për kriminalitetin, e bëri si çështje patriotike.

Por, problemi kryesor është që shqiptarët janë nga grupet kryesore etnike që merren me krim në Britani. Në Londër grupet shqiptarë janë grupet kryesore të trafikut të drogës.

Këtë duhet ta thotë edhe qeveria shqiptare edhe shqiptarët në Britani, ta thonë troç dhe të distancohen nga krimi", deklaroi Sejamini.