NË FOKUS, 21 Tetor 2022, 17:24

Vdekja e Lear Kurtit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Policia ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, Prokuroria të nisë hetimet

Vdekja e Lear Kurtit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Policia ka vepruar në

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar për vdekjen e Lear Kurtit, i cili humbi jetën mbrëmjen e 19 tetorit, pasi u shoqërua nga Policia.

KSHH vlerëson se Policia ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa thekson se  Prokuroria duhet të hetojë më tej për ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, shkakun e vdekjes së viktimës dhe nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin

Sipas KSHH punonjësit e Policisë do të duhej të zbatonin në mënyrë strikte nenin 17 pika “a” dhe nenit 89 pika “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente shtetasin L.K. në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.

Reagimi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) duke marrë shkas nga të dhënat e medias të datës 20.10.2022 mbi 32 vjeçarin L.K, sipas të cilave rezultonte se ai ishte shoqëruar ne Komisariatin e Policisë nr. 3 (Tiranë), dhe në vijim ishte dërguar në Spitalin e Traumës ku ishte konstatuar vdekja e tij, vlerësoi të nevojshme që këto të dhëna të verifikohen në vend.

KSHH e sheh të nevojshme të përmendë se në rastin konkret, nuk ndodhemi as para shoqërimit, ndalimit dhe as para arrestimit në flagrancë, që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Në këto rrethana, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit.
Nga të dhënat e verifikuara nga Raporti i shërbimit, i hartuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka rezultuar se gjendja jo e mirë shëndetësore e shtetasit L.K. është konstatuar nga forcat e rendit në orën 23:34. Duke patur parasysh sa më sipër, punonjësit e Policisë do të duhej të zbatonin në mënyrë strikte nenin 17 pika “a” dhe nenit 89 pika “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente shtetasin L.K. në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.
Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla është organi i Prokurorisë që duhet të hetojë më tej për ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, shkakun e vdekjes së viktimës dhe nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin.