NË FOKUS, 24 Shkurt 2022, 21:56

"Rusia, fuqi bërthamore që sillet si halabak"/ Veton Surroi analizon agresionin rus në Ukrainë

"Rusia, fuqi bërthamore që sillet si halabak"/ Veton Surroi
Veton Surroi në TPZ

Publicisti Veton Surroi, ka folur në një lidhje direkte për emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku u diskutua lidhur me agresionin rus në Ukrainë. 

Surroi foli për objektivat e Presidentit Putin, të cilat sipas tij janë shumë më tepër sesa janë menduar. 

"Objektivi është të tejkalojë pozitën që ka dhe të paraqitet si një fuqi që kontrollon përtej popullit të saj. Të krijojë një unazë gjeostrategjike dhe ta bëjë këtë me dhunë dhe të tregojë se vullneti i Rusisë duhet të respektohet në rendin e ri Evropian.
Nëpërmjet Ukrainës ai përpiqet të tregojë se është faktor", tha Surroi në TPZ. 

I pyetur nëse Serbia mund të frymëzohet nga situata për të bërë lëvizje në Kosovë, Surroi tha se "Putin dhe Millosheviç kanë partur ide të njejta". 

"Putini dhe Millosheviçi kanë patur të njëjtën ide, kontestimin e shteteve që nuk u pëlqejnë dhe nuk dominohen nga ta. Bosnje Hercegovina dhe Kosova janë shtete të kontestuara nga Serbia, nëpërmjet Rusisë, me Dodikun në Bosnje Hercegovinë dhe me veton në Këshillin e Sigurimit për Kosovës. Kemi edhe gjuhë të njëjtë.

Zoti Putin, përsëriti se Ukraina është një shtet artificial prandaj nuk duhet të ekzistojë. Serbia dhe narracioni nacionalist serb vijon të thotë të njëjtën gjë, që Kosova është një shtet artificial", deklaroi Surroi. 

I pyetur nga gazetari Rakipi nëse përgjigja e Perëndimit nuk ka qenë mjaftueshëm e fortë ndaj sulmit rus në Ukrainë, Surroi deklaroi që Putini kupton vetëm gjuhën e forcës, por kjo do të çonte drejt luftës së tretë botërore. 

"Mos harroni që është e vështirë të konfrontohesh në këtë luftë, sepse zoti Putin kupton vetëm gjuhën e forcës. Përgjigje me forcë do të na çonte në luftën e tretë botërore. Kemi një fuqi bërtamore që sillet si halabak.

Më duket që zoti Biden, ka treguar një kapacitet shumë më të mirë rezistence ndaj kësaj politike se zoti Obama dhe kemi dakordim të Perëndimi lidhur me masat.

Sanksionet nuk do të bëjnë që Putin të ndërpresë luftën", tha ndër të tjera Surroi në TPZ.