NË FOKUS, 7 Shkurt 2022, 21:25

“Inkuizicion!”/ Arjan Curri: Drejtësia po përdoret për të goditur ata që nuk do superfuqia, për të nxjerrë nga loja politikanë lokalë

“Inkuizicion!”/ Arjan Curri: Drejtësia po përdoret
Foto ilustrim: Saimir Tahiri, Arjan Curri, Yuri Kim

Arjan Curri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për dënimin e ish ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, që u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg.

Curri tha se në rastin e Tahirit drejtësia ka dështuar, me një proces 5 vjeçar për të dënuar një njeri me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ai tha se drejtësia po përdoret për të goditur dhe nxjerrë nga skena politike njerëz që nuk i do “superfuqia”, pra SHBA-të, gjë që ka ndodhur edhe në rajon dhe vende të tjera.

“Më shqetëson fakti, a mos është krijuar një republikë gjyqësore dhe a mos është instaluar një sistem drejtësie i kontrolluar dhe i gatshëm për t’u përdorur, për të goditur njerëz sa herë që një mazhorancë ose nje superfuqi, e ka të nevojshme ta bëjë një gjë të tillë.

Nuk është bërë për herë të parë në Shqipëri. Dihet që SHBA-të, në Itali, në Kroaci, në Maqedoni, Rumani, e përdorin sistemin e drejtësisë jo për të vënë drejtësi, por për të goditur politikisht. E vetmja mënyrë që politikanë shumë të fuqishëm lokalë, mund ti nxjerrësh nga loja është me një vendim gjyqi, qoftë edhe për një kostum të presupozuar që është marrë.

Kjo më shqetëson dhe kjo më bën të ngre këtë pyetje. Të paktën ne si gazetarë t’ua themi njerëzve gjërat, që duan të besojnë një të vërtetë dhe që duhet në plan të parë, që bërtitet me të madhe reforma në drejtësi, apo kjo drejtësi e re përdoret si çekan mbi kokë, për të goditur njerëz që nuk bëjnë ato që u themi ne?

Gruevski në Maqedoni donin ta burgosnin për një benz blindato.

Nga ana profesionale kjo drejtësi e re ka dështuar. Ju desh 5 vjet të dënojnë një njeri për shpërdorim detyre. Pra jemi përpara një inkuizicioni në formë moderne. Jemi duke parë edhe nga vendet përreth nesh, që përdoret e njëjta metodë.

C’është kjo drejtësi e re që në kulmin e pushtetit të tij, ti nuk e prek, nuk e heton, SHBA-të e mbështesin. SHBA-të i thonë Sali Berishës ti je burrë shteti. Në fund pastaj kur bie nga pushteti… Me anë të këtyre ministrave ndoshta duan të shantazhojnë edhe kryeministrin.

Duam të dimë ne si përfaqësues të opinionit publik, cila është e vërteta e reformës në drejtësi? A është kjo drejtësi e re dhe kjo reformë, në favor të interesit të publikut shqiptar, apo bëhet për të dënuar ndonjërin, për ndonjë unazë apo kostum?

Ta zëmë se i mori, kjo nuk është asgjë. Gjithë këto miliona të hedhura, prokurori, OPGJ, BKH, CIA, NASA, etj dhe në fund nuk arrijnë dot të provojnë as minimalen e minimales së fajësisë së tij, por e dënojnë për shpërdorim detyrë që është thes i pafund në gjuhën e juristëve”, tha Curri në “Të Paekspozuarit”.

“Inkuizicion!”/ Arjan Curri: Drejtësia po përdoret
Arjan Curri në TPZ