NË FOKUS, 18 Shkurt 2022, 18:20

SPAK "bllokon" dëshminë e zyrtarëvë në komisionin hetimor për inceneratorët

SPAK "bllokon" dëshminë e zyrtarëvë në

Kryetarja e komisionit hetimor për trajtimin e mbetjeve urbane, Jorida Tabaku i tha BIRN se do të kërkojë shpjegime nga Struktura e Posaçme Kundër Krimet të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, në lidhje me pretendimin e një dëshmitari se nuk mund të dëshmojnë në Kuvend, për shkak se dëmton procesin penal.

“Do të kërkoj një takim zyrtar me drejtues te SPAK për të sqaruar situatën,” tha Tabaku, e cila shtoi se deri tani nuk ka pasur njoftim nga SPAK.

Florjan Muçaj, ish-administrator i përgjithshëm i bashkisë Fier dhe anëtar i komisionit të prokurimit të inceneratorit të të njejtit qytet, i tha të premten komisionit parlamentar për trajtimin e mbetjeve urbane, se nuk mund të dëshmonte në Kuvend, pasi ishte thirrur nga SPAK.

“Kam dhënë dëshminë time si pjesë e hetimit që zhvillohet prej tyre,” shpjegoi Muçaj.

“Kam ardhur këtu në respekt të këtij Komisioni, por nuk mundem të vazhdoj më të jap dëshmi këtu në lidhje me atë çështje, sepse çdo gjë që mund të them këtu, mund të përbëjë një prishje të hetimit që është duke u zhvilluar nga SPAK-u,” shtoi Muçaj.

Ish-administratori i bashkisë Fier, i cili tani drejton kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol, i tha komisionit se për shkak të dëshmisë së dhënë në SPAK, deri në përfundimin e hetimeve ai mund të fliste vetëm me autorizimin e këtij institucioni.

“Në momentin që kam dhënë dëshminë përpara SPAK, jam informuar nga ana e tyre se nuk mund të flisja për këtë çështje me askënd tjetër,” theksoi Muçaj.

Të mërkurën deputetët socialist në komisionin hetimor, bllokuan dëshminë e një tjetër ish-anëtare të komisionit për prokurimin e inceneratorit të Fierit, Sabina Cenameri, duke përdorur dëshminë e saj në SPAK si justifikim.

I pyetur nga BIRN mbi deklaratën e Muçës, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, nuk iu përgjigj një kërkesë për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Përveç dy anëtarëve të komisionit për prokurimin e inceneratorit të Fierit, SPAK i ka kufizuar dëshminë publike përpara Kuvendit edhe 6 anëtarëve të komisionit të prokurimit të inceneratorit të Elbasanit, të cilët janë marrë të pandehur.

Ndryshe nga rasti i dëshmitarëve Muça dhe Cenameri, për personat nën hetim SPAK i është drejtuar me kërkesë zyrtare komisionit për të kufizuar dëshminë e tyre.

Në një mbledhje me dyer të mbyllura të mërkurën, deputetët vendosën se nuk do të merren dëshmitë e tyre publike.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH kontratar koncesionare të inceratorit të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës kapin një vlerë prej gati 500 milionë euro për një periudhë 30 vjeçare. Prokuroria e Posaçme po heton dyshime të arsyeshme se pas këtyre kontratave ngrihet një skemë korruptive që shkon në nivelet më të larta të shtetit.

Në 14 dhjetor, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është arrestuar, i akuzuar për korrupsion. Ai dyshohet se është paguar mbi 3.6 milionë euro rryshvet nga kompanie fituese e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit dhe një nënkontraktor i saj. Në kërkim janë shpallur drejtuesit e dy kompanive, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.

Javës që vjen pritet që në komisionin hetimor të dëshmojnë edhe kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe deputiti i PS-së, Alqi Bllako. Të dy janë marrë në pyetje nga SPAK për inceneratorët dhe mbetet e paqartë nëse dëshmia e tyre publike do të kufizohet nga organi i akuzës. /BIRN/