AKTUALITET, 25 Maj 2023, 12:52

Rritja e pagave për pushtetarët, Artan Fuga: Nëse kanë ndërgjegje politike, deputetët të distancohen nga kjo lebeti

Rritja e pagave për pushtetarët, Artan Fuga: Nëse kanë

Akademiku, Artan Fuga, e ka quajtur “tragjike” diskutimin në Kuvend për rritjen e pagave për pushtetarët.

Fuga thekson se “ata deputetë që kanë ende sadopak ndershmëri qytetare, duhet të kuptojnë që të ardhurat e tyre mujore shkojnë me këtë grabitje sa 30 deri 40 herë sa të ardhurat mesatare të një shqiptari këtu në vend”.

Ai shtoi se ligjvënësit që kanë ndërgjegje politike duhet të distancohen nga kjo lebeti.

Postimi i plotë:

Tragjike ajo që po ndodh sot në Kuvend!

Ata deputetë që kanë ende sadopak ndershmëri qytetare, që u ka mbetur sadopak kulturë politike mbi të drejtën, ata që sadopak gjejnë opozitarizëm në mendjen e tyre, pa hipokrizi, duhet të kuptojnë që të ardhurat e tyre mujore shkojnë me këtë grabitje sa 30 deri 40 herë sa të ardhurat mesatare të një shqiptari këtu në vend!

Në kanë ndërgjegje politike të distancohen nga kjo lebeti që nuk është çështje e thjeshtë mirëqënieje, nuk është thjesht çështje se me këtë kanë varfëruar dhjetra herë shqiptarin e mesëm, po po, sot ai varfërohet edhe dhjetra herë më shumë.

Por, ka shumë më tepër se kaq!

Është i gjithë sistemi politik, qeverisja, që sot mbyllin një cikël duke përfunduar procesin e degradimit dhe tjetërsimit nga një demokraci në oligarki.

Sistemi piramidal u përmbyll, njësoj si u rikonstruktua piramida te Bulevardi!

Ka ndodhur ajo që nuk ka vend në asnjë vend evropian a perëndimor.

Ky është realiteti nëse përmbyllet cikli i tjetërsimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, barazisë juridike qytetare, i sovranitetit popullor që nuk i ka mbetur asnjë hije sa kohë qeveriset në pushtetin qendror dhe lokal me një pakicë zgjedhësisht që nuk është as një e pesta e shqiptarëve me të drejtë vote.

A ka deputetë që kanë ende ndershmërinë ta kuptojnë se ç’po ndodh sot?