AKTUALITET, 10 Prill 2026, 21:39

Rama: PS e fokusuar te punët për Shqipërinë, opozita te bllokimi i integrimit

Rama: PS e fokusuar te punët për Shqipërinë, opozita te

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, mori pjesë sot në Asamblenë e PS-së në Berat, ku deklaroi se procesi i brendshëm zgjedhor në parti është konceptuar si një fazë e gjerë komunikimi me bazën dhe komunitetet në të gjithë vendin.

Rama theksoi se ky proces do të zhvillohet në disa etapa, duke nisur nga organizatat bazë, më pas me komunitetet dhe zgjedhjen e kryetarëve të njësive, për t’u përmbyllur me kremtimin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.

“Në këtë periudhë zgjedhjesh të reja në organizatat e PS-së e kemi konceptuar si një proces komunikimi intensiv në gjithë territorin me bazën e partisë. Më pas procesi do të vazhdojë me komunitetet dhe zgjedhjen e kryetarëve të njësive, për t’u kurorëzuar në 35-vjetorin e PS-së”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se Partia Socialiste e ka nisur gjithmonë më herët përgatitjen për proceset politike, ndërsa sipas tij, opozita shpesh fokusohet në përpjekje për të penguar integrimin dhe zhvillimin e vendit.

“Ne nisim më herët punën për të përgatitur fitoren e ardhshme, ndërsa të tjerët merren me përpjekje për të penguar Shqipërinë në rrugën e saj”, tha kryeministri.

Rama nënvizoi se fokusi i mazhorancës mbetet tek “punët e Shqipërisë”, duke e cilësuar komunikimin e brendshëm si të domosdoshëm për të kuptuar realitetin e zhvillimeve në vend.

“Ne merremi me veten për të kuptuar se ku jemi me punët e Shqipërisë, ndërsa të tjerët kanë interesat e tyre politike”, shtoi ai.

Duke u ndalur te zhvillimet në Berat, kryeministri e cilësoi qytetin si një shembull të rikthimit të qytetarëve dhe ndryshimit të trendit të emigracionit.

“Berati është bërë dallëndyshja e parë që lajmëron pranverën e rikthimit të shqiptarëve në vendin e tyre. Është vendi ku më shumë shqiptarë kthehen nga jashtë sesa ikin”, u shpreh Rama.

Ai tha se ky zhvillim lidhet me politikat e rilindjes urbane, investimet në infrastrukturë, mbështetjen për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë sipërmarrëse.

“Berati na jep të drejtë për politikat e rilindjes urbane, për investimet në pikat e grumbullimit dhe për mbështetjen e fermerëve”, theksoi kryeministri.

Rama u ndal edhe te kritikat për Rilindjen Urbane, duke theksuar se ndërhyrjet nuk janë vetëm estetike, por kanë edhe ndikim ekonomik dhe kulturor në qytete.

“Ne nuk jemi marrë me fasada, por me vlerën ekonomike të bukurisë dhe trashëgimisë kulturore”, deklaroi ai.

Sipas tij, transformimi i Beratit ka ndikuar në rritjen e investimeve private dhe në motivimin e banorëve për të investuar në pronat e tyre.