AKTUALITET, 10 Prill 2026, 17:00

“Miku im më tha se dukem arrogant”/ Rama: Jam i gatshëm të përballem në fushën e fakteve, jo llafeve. Korrupsioni po luftohet si asnjëherë

“Miku im më tha se dukem arrogant”/ Rama: Jam i gatshëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për deklaratat e tij mbi nivelin e korrupsionit në vend, duke theksuar se është i gatshëm të përballet me këdo në “fushën e fakteve”, por jo në atë që ai e cilësoi si “fusha e llafeve”.

Ai nga Berati tha se korrupsioni po luftohet si asnjëherë.

“E vërteta bëhet copash dhe gëlojnë lloj-lloj thashethemesh, shpeshherë të thuash të vërtetën duket si sfidë. Një miku im po më thoshte: ki pak kujdes se dukesh arrogant kur thua se Shqipëria ka më pak korrupsion. Unë jam i gatshëm të përballem me këdo për sa kohë jemi në fushën e fakteve, kur futemi në fushën e llafeve, aty është më vështirë.

Që Berati, falë Ervinit, ka bërë një transformim të madh, nuk e tregon fakti që u bë ministër, por një fakt tjetër: Berati është një territor që ka më shumë të kthyer sesa njerëz që ikin jashtë. Pse kthehen njerëzit? Sepse Berati të gjithëve u ofron mundësinë që, me punë, të vënë në shfrytëzim qoftë shtëpinë e vjetër në kala, qoftë tokën në fshat dhe të fitojnë më shumë sesa për të tjerët jashtë shtetit. Duke folur për oazin e sukseseve, të hidhen përpjetë sa të duan.

Edhe ky është një sukses, i krijimit, shumë vonë jemi, por nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që më në fund u krijua një model i bashkimit që bën fuqinë; kur vjen puna në shitje, në prodhim rrini veç. Në shitje, sa më shumë të rrini bashkë, aq më shumë do çoni fitime në shtëpi. Nëse keni 70 e ca dyqane, ku secili shet vajin e vet, jeni më të dobët në shitje. I keni kostot më të larta për të shkuar te blerësi dhe nuk keni kapacitet të negocioni çmime. Ata mund t’jua marrin për një copë bukë” – u shpreh Rama.