AKTUALITET, 29 Maj 2023, 22:55

“Rama ka nisur fushatën për vitin 2025”, Sejamini apelon opozitën që të hartojë projektin e fitores

“Rama ka nisur fushatën për vitin 2025”, Sejamini apelon

Analisti Neritan Sejamini tha në emisionin “Të Paekspozuarit” se Edi Rama ka nisur fushatën për vitin 2025, ndërsa po bën nëpër bashki turin e falenderimeve për fitoren në zgjedhjet vendore të 14 majit. Analisti tha se opozita nuk duhet të humbë kohë, duke nisur fushatën për vitin 2025, me një projekt dy-vjeçar në të gjitha drejtimet, ku pjesa më e madhe është procesi i tërheqjes së votuesve.

“Unë mendoj se Edi Rama ka nisur fushatën për zgjedhjet e vitit 2025, po shpalos medaljen, arritjen e vet para popullit, por po ta shohësh ka filluar të flasë dhe të mobilizohet për vitin 2025. Ky është problemi kryesor që ka sot opozita, që është në dilemë se çfarë do të bëjë sot, nesër, pasnesër, protesta apo jo, përçarje dhe po harxhon energjitë, ndërkohë Edi Rama ka të gjitha pushtet e mundshme, jo vetëm atë politik, por edhe pushtetin ekonomik, pushtetin mediatik dhe i qetë ka filluar fushatën për vitin 2025.

Nëse ka një gjë që Rama e bën shumë mirë është përgatitja për zgjedhje dhe pjesë e kësaj janë blerja dhe korruptimi i çdo lloj faktori. Ai ka 2-3 vjet që punon për Shkodrën, ndërsa opozita shkon në zgjedhje në dy muajt e fundit. Ai mund të ndryshojë njerëzit që ka në pushtet. Po të marrësh me kë erdhi në pushtet në vitin 2013 dhe ata që ka sot, ai i ka ndryshuar nja 5 herë, por opozita asnjë herë. Ndërsa duhet që opozita duhet të ndryshojë të freskohet, të sjellë ide dhe vizione të reja, i vetmi që ndryshon është Edi Rama. Ka për të sjellë ndryshime në qeveri dhe e ka këtë avantazh se ka të gjitha pushtetet.

Ajo që duhet të bëjë opozita është që të fillojë fushatën për vitin 2025, të fillojë një projekt të gjatë dy-vjeçar në të gjitha drejtimet, ku pjesa më e madhe është procesi i tërheqjes së njerëzve. Edi Rama rrëzohet kur tërheq 800 mijë vetë nga pas, kur opozita në Tiranë mezi pret të votojë për të rrëzuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn.”- u shpreh Sejamini.