AKTUALITET, 5 Tetor 2022, 12:00

Rama iu përgjigjet pedagogëve: Do të rrisim pagat me 7 %

Rama iu përgjigjet pedagogëve: Do të rrisim pagat me 7 %

Në të njëjtën kohë që pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë dalë në protestë për të kërkuar ndër të tjera edhe rritjen e pagave, kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur nga Universiteti Bujqësor.

Ai ka thënë se pedagogët kanë shumë mundësi për të disafishuar pagën e tyre, megjithatë pranoi një rritje prej 7%, shumë larg kërkesave të tyre.

“Atyre që dalin në rrugë dhe le të dalin se janë në të drejtën e tyre dhe që kërkojnë rritje pagash në emër të të gjithë pedagogëve, ju them se nuk jeni mësues, as mësues gjimnazi e as mësues 9 vjeçareje. Nuk jeni as mjekë e as infermierë në shërbimin shëndetësor publik.

Nuk jeni as policë, as ushtarak e as nëpunës civilë. Nuk jeni as pensionistë jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë fiks. Ndërkohë, pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme midis mbështetjes së shtetit dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ja bën vetes rrogën edhe rrogën dyfish, trefish, edhe katër edhe pesë.

Me fondet e tjera, janë fondet e vetëfinancimit, janë fondet europiane janë edhe fondet e universiteteve të tjera private. Por këtu ka një histori tjetër, të pagave të deklaruara pjesërisht”, tha Rama.

“Do të bëjmë një rritje pagash të mërkurën a të enjten prej 7% por do i  njohim universitetit të drejtën për të rritur pagën sipas vendimmarrjes së vet. Nuk janë të gjithë njësoj. Universiteti është autonomi. Zhvillohet në një hapësirë të ndërmjetme mes shtetit dhe tregut”, shtoi më tej kryeministri.