AKTUALITET, 5 Tetor 2022, 10:06

A duhet të paguhet mjeku nga xhepat e pacientëve? Ja çfarë thonë Skënder Brataj dhe Ilir Alimehmeti

A duhet të paguhet mjeku nga xhepat e pacientëve? Ja

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka shprehur mendimin e tij lidhur me pyetjen nëse mjeku duhet të ketë një rrogë apo të paguhet nga pacientët që iu shërben.

Sipas tij, në një institucion rroga është baza dhe është pro rrogës. Por ka mënyra të tjera që një mjek të paguhet ekstra.

Brataj shprehet se e ka hedhur dhe si ide që një mjek të paguhet me rrogën që i jep shteti për 8 orë punë dhe më pas sipas dëshirës, t’i mundësohet një mjeku dhe puna jashtë orarit të punës brenda spitalit, ku të ketë pacientët e tij dhe pagesa të jetë më e lartë. Me këtë mënyrë mjeku ka lehtësira edhe në përdorimin e hapësirave të spitalit apo aparaturave.

Një mjek mund të mos e ketë mundësinë që të hapë klinikën e tij, për shkak të qirasë, taksave, pagesës së stafit e të tjera.

Për këtë ide, doktori tha se ekziston në vende të ndryshme të botës, ku solli si shembull Italinë, që i mundëson mjekut të punojë brenda në spital jashtë orarit dhe të paguhet ekstra rrogës bazë.

“Në shërbimin shëndetësor çdo njeri paguhet me rrogë. E drejtë është se dhe te privati e në çdo shtet tjetër paguhet me rrogë.

Mund të bëhet çdo lloj organizimi. Rroga varet nga kostoja e jetesës në vendin ku jetohet.

Sigurisht nuk mund të jetë njësoj me vendet evropiane ku niveli i jetesës është më i lartë. Por një minimum duhet të ketë sepse një mjek duhet të bëjë pjesë në shtresën e mesme. Ke një familje 3-4 persona, ke një makinë dhe një shtëpi dhe e dimë sa është kostoja e tyre”, është shprehur Brataj për emisionin “Aldo Morning shoë” në tvklan.

Ndërsa epidemiologu Iliri Alimehmeti u shpreh se është kundër që të paguhen mjekët nga xhepi i pacientëve.

“Edhe sistemi shtetëror duhet edhe sistemi privat duhet, të rregulluar mes tyre sepse sistemi shtetëror mban peshën kryesore.

Privati ka një mundësi duke parë situatën ku ndodhet një sistem shtetëror sheh ato mundësitë çfarë mungon, çfarë mund të shtojë ekstra, patjetër komprometojnë njëra-tjetrën.

Nuk është vetëm rroga, ekzistojnë dhe ato që quhen të ardhura dytësore. Kemi mjekë me performancë të caktuar më të lartë që është e drejtë që me performancën e tyre më të lartë të kenë një bonos, një shpërblim, por jo nga xhepat e pacientëve.

Kjo duhet të vijë nga sistemet e fondit, nga sisteme të rregulluara. Ne e dimë që në të gjithë botën ekziston sistemi i dhuratës, diku ka ligje që e kuantifikon që mund t’i bësh dhuratë dikujt, diku nuk ka, por nuk mundet në mënyrë absolute të pranohen apo të kërkohen para për shërbim paraprak. Kjo tek privati është normale sepse është një listë çmimi tek muri, në shtet është ndryshe”, është shprehur epidemiologu Alimehmeti në emision.