AKTUALITET, 22 Nëntor 2022, 14:06

Në Shkodër janë përmbytur 1,000 ha tokë; Haxhimali: Situatë alarmi, nuk është punuar me masat parandaluese

Në Shkodër janë përmbytur 1,000 ha tokë; Haxhimali:

Nisja e përmbytjeve këtë vit në sezonin e vjeshtës, ndryshe nga vitet e kaluara, kur për shkak të reshjeve të mëdha përmbytjet kanë ndodhur në dimër, për ekspertët e pushtetit vendor konsiderohet situatë alarmi.

Aktualisht në Shkodër sipas të dhënave nga bashkia janë mbi 1,000 ha tokë të përmbytura. Më të prekura janë njësitë administrative Ana e Malit, Bërdica dhe disa fshtara të tjera.

Vjet situata me përmbytjet nisi në fillim të muajit janar. Për shkak të rreshjeve u përmbytën rreth 5,130 ha tokë në zonën e Shkodrës duke përfshirë edhe komuna të tjera, si: Obot, Dajç, Guri i Zi, Velipojë, Oblik, Rrencë dhe Kuç.

Për ekspertin e çështjeve vendore Agron Haxhimali situata e dëmeve duhet të krahasohet me përmbytjet e vitit 2010, që kanë qenë më të mëdhatë ndër vite. Sipas tij nisja e përmbytjeve këtë vit në vjeshtë, dhe jo në muajt tipikë që është dimri kërkon analizë dhe përbën alarm.

Haxhimali thekson se përsëritja çdo vit e përmbytjeve lidhet me mungesën e kanalizimeve dhe investimeve në infrastrukturën kulluese.

“Përsëritja e këtyre situatave e ka origjinën në dy aspekte thelbësore. Aspekti i parë është lidhur me ndryshimet klimatike. Dhe për këtë aspekt është keqardhje e madhe them se akoma nuk është sa dhe si duhet në axhendën e politikbërësve, për t’u trajtuar si duhet me qëllim që të minimizojmë dhe ndërgjegjësohemi për efektet dhe marrim masat përkatëse.

Por ndërsa natyrën se vendosim dot në kontroll, ajo që duhet të ndodhi është në aspektin njerëzor, se çfarë duhet të bëjë njeriu, institucionet dhe aktorë të tjerë përgjegjës për të parandaluar ndryshimet klimatike që shkaktojnë përmbytje dhe dëme të mëdha njerëzore sociale dhe ekonomike.

Punohet shumë pak ose jo strategjikisht në masa parandaluese në mënyrë të vazhdueshme. Së pari, për sistemet e kanalizimeve, për infrastrukturën nën dhe mbitokësore, në investime dhe ndërgjegjësime”.

Për mospërsëritjen e përmbytjeve çdo vit Haxhimali rekomandon se qeveria duhet të rrisë investimet në kanalet kulluese dhe digat.

“Institucionet duhet të punojnë për politika më të mira që lidhen me ndryshimet klimatike. Ato duhet të bëjnë kuadër ligjor të mirë në funksion të masave parandaluese dhe përballuese për përmbytjet. Qeveria duhet ndër të tjera të rrisë portofolin e financimit në infrastrukturën e kanalizimeve primare, të dyta dhe të treta. Nevojitet kontroll dhe koordinim me bashkitë për digat ujëmbajtëse. Ndërkohë vetë bashkitë duhet të merren më thellësisht gjatë gjithë vitit me kanalizimet dhe të ndërtojnë një sistem shkarkimi që të përballojë reshjet në sasi më të madhe se sa përballojnë”, thekson ai./Monitor