AKTUALITET, 24 Gusht 2022, 14:09

Në burg për spiunazh, avokati Vishaj: Ukrainasit iu shkelën të drejtat, e pyetën rusisht

Në burg për spiunazh, avokati Vishaj: Ukrainasit iu shkelën

Avokati i shtetasit ukrainas Fedir Alpatov i kapur në uzinën e Gramshit dhe i dyshuar për spiunazh ka mohuar kategorikisht bashkëpunimin e klientit të tij me shërbimet inteligjente ruse.

Avokati Saimir Visha tha se ka kërkuar pavlefshmërinë e deklarimeve të tij gjatë marrjes në pyetje, pasi është pyetur në gjuhën ruse, kur gjuha e tij amtare është ukrainase.

Po kështu Visha tha se policia dështoi pasi akuza ishte regjistruar për 5 vepra penale dhe aktualisht kanë mbetur dy.

Sipas tij, nuk ka fakt penal sepse fotot janë bërë në zona ku nuk ka pasur sinjalistikë.

“I është mohuar gjuha. Nuk mundet të pyetet ai në gjuhën ruse kur gjuha e tij zyrtare është ukrainase. Personi që është shtetasi huaj pyetet në gjuhën amtare. Kërkuam pavlefshmërinë e deklarimit të tij.

Dy të tjerët kanë kërkuar avokatë të zgjedhur, gjykata i ka caktuar kryesisht.

Në lidhje me akuzat, ju e dëgjuat dhe vetë që nga ana e policisë dështoi. Ishte regjistruar për 5 vepra, aktualisht janë dy vepra.

Nuk është armë kimike. Nuk ka fakt penal kur fotot janë bërë në një objekt që nuk ka asnjë sinjalistikë. Në mënyrë kategorike klienti im nuk ka pasur të bëjë me shërbimet ruse”, deklaroi Visha.