AKTUALITET, 16 Mars 2023, 11:36

"Merrni masa për magjistratë pa ndërgjegje e pa tru!"/ Elisa Spiropali shpërthen ndaj prokurorëve që burgosën lehonën në Shkodër

"Merrni masa për magjistratë pa ndërgjegje e pa tru!"/

Ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali kërkoi lirimin e nënës lehonë në Shkodër, Diana Bahçja, e cila u vu në pranga, vetëm 8 ditë pasi solli në jetë fëmijën e dytë, sepse nuk kishte paguar një gjobë prej 250 mijë lekësh të 3 viteve më parë, pasi ishte dënuar për braktisjen e fëmijës. 

Diana Bahçja u arrestua tetë ditë pasi lindi foshnjen pasi ishte dënuar nga gjykata me gjobë. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi ta konvertonte dënimin nga gjobë në 50 ditë burg, pa marrë parasysh faktin se ajo është nënë e një fëmije të porsalindur. Pa asnjë dijeni ajo u arrestua dhe ndodhet në burg, edhe pse ligji bën një tjetër parashtrim për rastin e saj.

Spiropali e cila ngre një sërë pyetjesh në lidhje me arrestimin e nënë lehonë, kërkon që të merren masa për magjistratët që dhënë këtë vendim të cilin e cilëson "pa ndërgjegje e pa tru".

Prej tetorit 2022, Spiropali është emëruar nga Rama si drejtuese politike e PS-së në qarkun Shkodër, duke nisur një fushatë të ethshme për të fituar bashkinë, me qëllimin për të fituar për herë të parë në bastionin e PD-së. Fundvitin e shkuar, ajo udhëhoqi bisedimet për të marrë në PS deputetin Agron Çela, që u zgjodh nën siglën e LSI-së, sot Partia e Lirisë e Ilir Metës dhe u filmua duke kërcyer në një festë fundviti në Shkodër, ku iu këndua kënga "Elisa, sa e bukur je".

Reagimi i Spiropalit

"Lironi Diana Bahçjen!

Cila prokurori, cila gjykatë, cili njeri, kërkon konvertimin e një gjobe në arrest për një nënë lehonë?!

Si arrestohet një grua në kushte të tilla?!

Mos janë të njëjtët që lehtësojnë masat e dënimit për burra kriminelë që dhunojnë e vrasin gra të pafajshme?!

Institucionet e reja të drejtësisë të analizojnë a ka padrejtësi sistemike në dënime ku i dobëti nuk ka ku të qahet?!

Merrni masa për magjistratë pa ndërgjegje e pa tru!", shkruan Spiropali.