AKTUALITET, 25 Nëntor 2021, 13:30

Kuvendi i PD-së më 11 dhjetor, lexohen emrat e disa delegatëve që kanë firmosur

Kuvendi i PD-së më 11 dhjetor, lexohen emrat e disa delegatëve

Drejtuesit e degëve 3 dhe 6 në Tiranë kanë lexuar publikisht emrat e delegatëve që kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor.

Emrat e lexuar publikisht janë të atyre delegatëve që kanë pranuar t’u publikohet emri. Lista është lexuar nga zyra e Edi Palokës, kryetarit të Këshillit Kombëtar.

Përveç emrave, drejtuesit kanë bërë publike edhe formularët e tyre për mediat. Në zyrën e Palokës janë depozituar mbi 4200 firma delegatësh.

Sipas tyre, 80% e delegatëve në këto dy njësi kanë firmosur për mbajtjen e Kuvendit dhe sipas verifikimeve të tyre, delegatët janë 100% dakord për thirrjen e saj.

Poll

Onelda Zefi, kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas nga dega 6, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, foli para mediave.

“80% të delegatëve kanë firmosur, ata kanë kërkuar të jenë publik. Te njësia 6 janë 65 formularë, ne lexuam 58 emra, sepse personat e tjerë nuk duan të bëhen publikë. I kemi telefonuar të gjithë dhe kanë rezultuar 100% të vërteta”, tha Zefi.

Kurse përfaqësuesi i degës 3 tha se nga 89 delegatë kanë firmosur 77.

“Nga 89 delegatë, kanë firmosur 77 prej tyre. Gjashtë nuk kanë firmosur, gjashtë janë emigrantë,” tha ai, duke lexuar më pas listën e plotë.