AKTUALITET, 25 Nëntor 2021, 11:17

Thirrja e dëshpëruar e fermerit nga Lushnja: Po falimentojmë! Bujqësia nuk njeh parti!

Thirrja e dëshpëruar e fermerit nga Lushnja: Po falimentojmë!

Fermerët e Lushnjës, por jo vetëm kanë protestuar sot para parlamentit kundër paketës fiskale.

Ata iu kanë bërë thirrje 140 deputetëve t’i mbështesin pasi janë në prag falimentimi.

Dëshpëruese ishte apeli dhe rrëfimi i një fermeri në moshë. Ai tha se prodhimin e tij, mandarinën e shet me 30 lekë kg dhe ai që e blen e shet me 100 lekë.

Fermeri deklaroi se ka bërë shtëpitë, por nuk ka se çfarë i do, pasi fëmijët po i ikin në emigrim.

Ja çfarë tha fermeri:

Kemi qenë si fëmija i njerkës. Po vete 70 vjeç, kam dy hektarë mandarina të mbjella.

Po falimentojmë, nuk po hedhim dot. Bima është si fëmija, po nuk hëngri nuk bën cilësi që ta hash ti, duhet ta hedh në kanal. Ne kërkojmë, as nga PD, as nga PS, të 140 deputetët duhet të na mbështesin, lëre partinë.

Bujqësia nuk njeh parti. Bujqësia sjell prodhim për të gjithë.

E kam faturën këtu. E kam shitur me 300 lekë mandarinën, këtu shitet 1000 lekë. Shteti thotë tregti e lirë, nuk ka tregti kështu. Nuk ushqehemi dot kështu.

Ne po flasim për të mbijetuar. Thonë disa, ai qenka veshur mirë, po pse unë nuk kam të drejtë të jetoj, vetëm ti paske të drejtë të jetosh, ti që je në Tiranë?!

Ata fëmijët e mi nuk kanë të drejtë të gëzojnë një drekë, një darkë nga unë?! Nuk po kërkojmë lustra. Më shumë kanë ardhur policë, ne nuk kemi ardhur për luftë siç vijnë partitë. Nuk kam ide partish fare.

Por ama të drejtat i duam dhe ne. Kam bërë shtëpinë, më ikin kalamajtë, ç’i dua shtëpitë unë. Këtu e kemi të keqen, nuk ka problem se është i PS apo i PD.