AKTUALITET, 16 Mars 2023, 12:02

Kryemadhi kërkoi provat, portali fshin artikullin ku akuzohej se kishte marrë para ruse

Kryemadhi kërkoi provat, portali fshin artikullin ku akuzohej se kishte

Një portal në gjuhën angleze “EU Reporter”, vendosi të fshijë një artikull dhe disa dokumente që kishte publikuar dje, përmes të cilave pretendohej se Monika Kryemadhi kishte marrë disa pagesa nga kompani ruse të naftës, rreth 6 vite më parë.

Në shkrim thuhej se kalimi i parave në llogari të Kryemadhit ishte bërë përmes kompanive “offshore”.

“Dëshmitë tregojnë se Monika Kryemadhi, gruaja e ish-presidentit shqiptar që qeverisi në koalicion me PD-në, Ilir Meta, ka marrë një sërë pagesash në vitin 2017 nga kompani të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës me lidhje të ngushta me Kremlinin, përmes një sërë kompanish offshore”, thuhej në artikullin e gazetës online me bazë në Bruksel.

Por ish-kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, i ka dërguar një e-mail redaksisë së EuReporter ku i kërkonte vënien në dispozicion të provave dhe ndjekjen e çështjes në një gjykatë civile ndërkombëtare.

Pas këtij e-maili, “Eu Reporter”, ka vendosur të fshijë lajmin.

Sipas portalit, Monika Kryemadhi ka bërë një pagesë për një kompani offshore, Vradus Holdings, e cila u zbulua se kontrollohej nga Vitaly Savvin, një tregtar rus nafte, kompania ruse e naftës e të cilit u zbulua gjithashtu nga Forbes se kishte qenë një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit dhe partisë politike në pushtet, Rusia e Bashkuar.

“Më tej, Kryemadhi ka marrë pagesa nga kompania offshore Holdem Holdings, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan. Smuzikov dhe Kaplan bënë pasurinë e tyre në botën e turbullt të naftës ruse në një kompani të kontrolluar nga oligarkët rusë, të cilët që atëherë janë sanksionuar për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin.

Është e paqartë pse Kryemadhi i ka marrë këto pagesa nga këta biznesmenë rusë. Siç përshkruhet në dokumente, referencat e pagesës përfshijnë ‘dividend për aksionarët’ dhe ‘shërbimet e marketingut’. Bashkëshorti i Kryemadhit, Meta, aktualisht vazhdon të drejtojë Partinë e Lirisë Shqiptare, një nga partitë më të mëdha opozitare në Shqipëri, e lidhur ngushtë me PD-në e mbështetur nga Rusia”, thuhej në artikullin e fshirë tashmë.