AKTUALITET, 1 Qershor 2023, 12:23

"Kam dhënë pëlqimin paraprak", presidenti Bajram Begaj flet për ligjin e rritjes së pagave

"Kam dhënë pëlqimin paraprak", presidenti Bajram
Presidenti Begaj

Presidenti Bajram Begaj, i pyetur sot nga gazetarët për dakordësinë e dhënë në lidhje me ligjin që rrit pagën e tij, deputetëve dhe administratës, tha se nuk ka dhënë menjëherë dakordësinë, por ka marrë ditët që i ka dhënë Kushtetuta për ta vlerësuar si duhet me ekspertët e ekonomisë.

Ai theksoi se ligji në fjalë bëhet për të rregulluar piramidën e pagave në vend për administratën e lartë publike dhe magjistratët.

“Në fakt nuk shkon me frymën e kësaj konference. Presidenti në fakt zbaton kushtetutën dhe ligjet e vendit. Dua të sqaroj që nuk ishte një vendim i deputetëve, Ishte një ligj i votuar me shumicë dhe konsensus.

Ligji në fjalë bëhet për të rregulluar piramidën e pagave në vend, në administratën e lartë publike dhe pagat e magjistratëve. Përmendët që u lexua dakordësia e presidentit. Ligji studiohet, vlerësohet nga deputetët. Presidenti ka dhënë pëlqimin paraprak që ligji të hyjë në fuqi pas dekretimit, por jo përmbajtjen e ligjit.

Presidenti ka marrë kohën e vet në momentin që erdhi. Kam marrë ditët që më ka dhënë kushtetuta për ta vlerësuar si duhet ligjin nga ekspertët e ekonomisë. Nuk është dhënë miratimi paraprak për ligjin. Është dhënë dakordësia për hyrjen në fuqi të ligjit në momentin e dekretimit”, tha Begaj.