AKTUALITET, 22 Qershor 2023, 17:41

Izolohen mijëra banorë në Sukth dhe Katund i Ri, shkak ura që kushtoi 16.6 mln lekë...

Izolohen mijëra banorë në Sukth dhe Katund i Ri, shkak ura

Kjo urë lidh mijëra banorë të fshatrave Jubë dhe Rushkull, që u përkasin njësive administrative Katund i ri dhe Sukth, pjesë të bashkisë Durrës.

Rreth 400 autovetura dhe më shumë se 30 kamionë që e përshkojnë çdo ditë atë rrezikojnë çarjen e gomave, por edhe rënien në lumin Erzen, pasi në pjesë të caktuara ajo është e amortizuar tërësisht.

“Sa herë që kaloj pa i ndërruar gomat s’rri. Dalin gozhdët, dërrasat e thyera”, thotë një banor për EuroNews.

“E rrezikshme është, se po të kalosh këmbësor këtu shihe si është, thyen këmbët. Edhe makinat, edhe gomat”, shprehet një tjetër.

Në këtë gjendje, dhe në mungesë të plotë të ndriçimit, kalimi bëhet i pamundur në mbrëmje.

“Natën mundohemi mos të kalojmë fare. I biem nga Sukthi, më gjatë, vetëm që mos të kalojmë këtu”, tregon një nga banorët e zonës.

6 vite më parë, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi se kjo urë ishte kthyer në një problem shqetësues për banorët, ndaj u vendos rindërtimi i saj dhe vënia në funksion të plotë.

Sot, 6 vite më pas, ura vijon të jetë kërcënim për jetën e kalimtarëve, ndërsa “arnimi” i saj dukshëm nuk është një zgjidhje afatgjatë.

“Zgjidhje nuk janë, se për 2 javë ose më pak ato prishën prapë. E mira është që ta bëjnë me beton”, tregon një djalë.

Gjendur në këto kushte, banorët nuk kanë shpresë, se mirëmbajtja e urës dhe riparimi i saj do të përfshihet ndonjëherë në ndërhyrjet infrastrukturore të bashkisë Durrës.

Ura 115 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë u rikonstruktua në vitin 2017 me fondet e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe bashkisë Durrës. Investimi kapi shifrën e rreth 16.6 milionë lekë.