SPORT, 22 Dhjetor 2021, 22:19

Inzagi: Interi im me djem të mrekullueshëm!

Inzagi: Interi im me djem të mrekullueshëm!

Simone Inzagi, trajneri i Interit, pas fitores kundër Torinos foli në 'DAZN" për ndeshjen dhe ecurinë e deritanishme të kampionëve të Italisë.

“Humbëm raste pjesën e parë, ndërsa në të dytën ishim më mirë. Jemi të kënaqur me mënyrën se si e mbyllëm vitin. Tani të rikuperojmë energjitë për pjesën e dytë të sezonit. Kam pasur besim që në fillim tek Inter, e njoha ekipin në dy javët e para.

Sot është e lehtë të thuash që Interi është favorit, por mbaj mend që në korrik nuk ishte kështu. Djemtë kanë bërë punë të mirë dhe kjo duhet të jetë një nxitje për ne tani e tutje.

Klubi më ka qëndruar pranë. Morëm lojtarë të rëndësishëm, që bëjnë për lojën time. Gjithashtu kemi përfituar nga puna e bërë më parë. Pastaj çdo trajner dhe staf ka metodat e veta, përtej moduleve.

Përtej titullit kampion dimri, unë kisha besim sepse ekipi ishte gjithmonë mirë në fushë. Lojtarët u përpoqën të më kuptonin mua dhe stafin, ndaj kishte besim.

Gjithsesi, ka ende rrugë dhe plot gracka. Kam djem të mrekullueshëm, që për një muaj e gjysmë kanë mbyllur diferencën me të tjerët dhe kanë krijuar edhe epërsi”, tha Inzagi.