SPORT, 21 Dhjetor 2021, 23:22

Seria A/ Juventusi fiton me Kaljarin, zhgënjen Atalanta

Seria A/ Juventusi fiton me Kaljarin, zhgënjen Atalanta

Juventusi luajti sot ndeshjen e fundit të fazës së parë të Serie A, si dhe ndeshjen e fundit të këtij viti duke e mbyllur me tri pikë. Zonja e Vjetër mposhti në shtëpi Kaljarin me rezultatin 2-0.

Pas shumë tentativash të pasuksesshme nga ekipi i Alegrit në pjesën e parë, ishte Moise Kean ai që zhbllokoi gjithçka. Një krosim i Bernandeskit u devijua nga Kean i cili e çoi topin në rrjetë dhe rezultatin në 1-0.

Pjesa e dytë prodhoi më pak lojë për ekipin e Juventusit që e uli rritmin. Kështu, ishte Kaljari ai që rrezikoi më shumë këtë pjesë duke iu afruar edhe dy herë golit me anë të Dalbert dhe Joao Pedro. Megjithatë, në të dyja rastet lojtarët e Maxarit gabuan duke e lënë rezultatin në 1-0.

Dhe rregulli i pashkruar i futbollit është nëse nuk shënon do të pësosh. Kështu, Bernardeschi shënoi golin e dytë dhe të fundit të takimit duke vulosur gjithçka pas një kundërsulmi të shpejt të Juventusit.

Në ndeshjen tjetër, Atalanta bëri një tjetër hap fals pas humbjes nga Roma duke humbur edhe më shumë terren në luftën për titull. Ekipi i Gasperinit u ndal nga Xhenoa në një barazim pa gola.

Edhe pse u përpoqën gjatë gjithë ndeshjes për të zhbllokuar takimin, lojtarët e Atalantës ishin të paqartë përpara portës. Nga ana tjetër, Xhenoa ishte e pafuqishme dhe nuk rregjistroi asnjë goditje në kuadrat.

Kështu Juventusi ngjitet në vendin e pestë dhe shkon në -4 pikë nga zona Champions. Është pikërisht Atalanta që mban vendin e katërt me 38 pikë. Ndërkohë Xhenoa dhe Kaljari vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e 18 dhe 19 me ekipin e Shevçenkos që ka një pikë më shumë.