TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një nga aktet për të cilat Ilir Meta si President nuk do të harrohet kurrë, është numri i lartë i dekoratave që ka shpërndarë gjatë mandatit të tij pesë vjeçar, duke e kthyer ndoshta Shqipërinë në vendin, që posedon numrin më të lartë të njerëzve të shquar dhe me kontribute të larta, në mbarë planetin, në raport me popullsinë.
Dekoratat u janë shpërndarë aq shumë personave, të gjallë e të vdekur, saqë çdo shqiptari i ka lindur e drejta të kërkojë dekoratë.
Deri tani dekoratat kanë qenë diskrecion i Presidentit të Republikës, por me sa duket gjërat do të ndryshojnë.
Qeveria shqiptare pritet të propozojë një "reformë" edhe për ndarjen e dekoratave.
Sipas BIRN, "qeveria Shqiptare ka në plan të reformojë sistemin e dekoratave në vend, duke propozuar një projektligj që parashikon një numër titujsh nderi të dhëna me sasi të kufizuara çdo vit dhe pas një procesi përzgjedhës të realizuar nga një institucion i ri, kancelari i të cilit do të emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri Edi Rama".
Ja disa nga propozimet e qeverisë (BIRN):
Projektligji parashikon njëmbëdhjetë tituj nderi dhe medalje, ku secili nga titujt ka disa kategori. Titulli më i lartë do të quhet “Urdhri suprem i Shqiponjës”, e cila zëvendëson në këtë mënyrë dekoratën e Flamurit Kombëtar, e cila ishte dekorata më e lartë e ligjit aktual. Ajo do të jepet në gjashtë kategori: Gjerdani i madh, Ylli i Madh, Oficer i Madh, Komandar, Oficer dhe Kalorës. Presidenti i Republikës për shkak të funksionit shpallet menjëherë komandant i këtij urdhri me titullin “Ylli i Madh” ndërsa mbajtësit e titullit Ylli i Madh do të nderohen pas vdekjes me funeral ushtarak. Urdhri i Skënderbeut do të ketë gjithashtu të njëjtat kategori ndërsa në rang të tretë do të jetë Urdhri i Lisit Akademik, në bazë të së cilit, qytetarët me merita të veçanta në kulturë, shkencë, arte apo sport, do të mund të nderohen me titujt: Ylli i madh, Komandar ose Kalorës. Edhe në këtë rast, presidenti i republikës shpallet kryesisht komandant i ushtrit të lisit akademik pavarësisht nëse është apo jo akademik.
Projektligji parashikon 20 tituj kalorës të të shqiponjës dhe 50 kalorës të Skënderbeut pasuar nga 80 kalorës të lisit akademik të dhëna çdo vit. Në vitet pasardhëse, këta kalorës do të kenë mundësinë të ngjisin shkallët e karrierës së titujve duke u bërë Komandarë, Oficerë e të tjerë më sipër, deri sa të bëhen Yll i Madh.
Rama ka ruajtur për vete Medaljen e Meritës Civile, të cilën do të ketë të drejtë t’ia akordojë qytetarëve të ndryshëm. Rama do të ketë të drejtë të pajisë qytetarët me medalje të artë, të argjendtë ose të bronztë ndërsa ka të drejtë të pajisë të njëjtët njerëz më shumë se një herë.
Projektligji thekson se urdhrat duhet të jepen për njerëzit që janë gjallë “ose menjëherë pas vdekjes” me përjashtime të medaljes Pishtar i Demokracisë, dukshëm ky një reflektim ndaj dilemave të shkaktuara nga dekretet e Metës për të shpërndarë dekorata për figura të ndryshme historike si Pjetër Bogdani.
Medaljet dhe dekoratat nuk mbartin shpërblim financiar por të dekoruarit, sipas projektligjit, do të kenë trajtim prioritar në protokollin e shtetit, pra në rastet kur ka ceremoni publike, ata do të mund të zënë vend në rradhë të parë apo të hyjnë të parët.