AKTUALITET, 25 Maj 2022, 11:19

“Frikë në Tiranë”-Mediat italiane dhe holandeze akuzojnë tifozeritë e njëra-tjetrës si shkaktare të dhunës mes tifozëve

“Frikë në Tiranë”-Mediat italiane dhe holandeze

Gazeta e madhe sportive italiane, ‘Gazzetta dello Sport’, duke iu referuar trazirave të mbrëmshme në kryeqytetin shqiptar e cilëson ngjarjen si ‘Frikë në Tiranë’.

 Përplasjet u provokuan nga tifozët holandezë, akuzon gazeta, duke theksuar se janë dhjetëra të plagosur.

“Me kalimin e orëve, situata e rëndit publik në Tiranë u bë dramatike…

Sipas burimeve policore në kryeqytetin shqiptar, të plagosurit janë 15, 12 policë shqiptarë dhe tre tifozë. Dy italianë kanë pësuar lëndime në kokë dhe fytyrë. Një nga policët thuhet se është në gjendje serioze”.

“Për t’u shqetësuar teprimet e tifozëve të Feynoord-it, të cilët falë disa birrave të shumta, fillimisht u bënë protagonistë të përplasjeve në veri të qytetit, gjatë të cilave u plagosën në kokë dy të rinj shqiptarë. Njëri u plagos me rëndë pasi u godit me një karrige”, shkruan gazeta.

Mediat holandeze: Dhuna u ushtrua kryesisht nga tifozët e Romës

E kundërta ndodh me mediat holandeze. Portalet holandeze raportojnë se janë arrestuar të paktën 12 tifozë holandezë dhe 48 tifozë italianë.

Sipas portalit të madh holandez, AD, janë plagosur dhjetë policë. Portali raporton se dhuna erdhi kryesisht nga tifozët e Romës.

“Dhjetë policë u plagosën dhe disa makina policie u dëmtuan, kryesisht për shkak të dhunës së tifozëve të Romës.

Menjëherë pas mesnate, policia njoftoi se kishte arrestuar gjithsej 60 persona, 48 italianë dhe 12 holandezë. Ashtu si më parë në Marsejë, edhe policia në Tiranë përdori gaz lotsjellës.

Një përplasje mes grupeve të mbështetësve u parandalua nga ndërhyrja e policisë. Në qytet pati shkatërrim, përfshi të paktën një dyqan.

Policia tha se grupet e tifozëve po kërkonin të përplaseshin me njëri-tjetrin. Kur fansat e Feynoord-it u ndaluan, ata thuhet se nisën të qëllojnë policinë me shishe, gurë dhe shkopinj. Më vonë, tifozët e Romës bënë të njëjtën gjë, por në një zonë tjetër të qytetit, pranë një rajoni policie.

Videot tregojnë se si policia i bombardoi ata me gaz lotsjellës nga të gjitha anët”, shkruan AD.