AKTUALITET, 25 Maj 2022, 09:57

Conference League, Drejtori i Policisë Rrugore: Zona brenda Unazës së Vogël do të jetë pedonale. Ja tre akset ku do të lejohet të lëvizin vetëm tifozët

Conference League, Drejtori i Policisë Rrugore: Zona brenda Unazës

Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato ka folur për masat e marra për finalen e Conference League që do të zhvillohet sot në Tiranë.

Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, teksa shpjegoi se si do të bëhet hyrja në Tiranë e mjeteve nga Veriu dhe Jugu. Qato deklaroi se zona brenda Unazës së Vogël, do të jetë pedonale vetëm për këmbësorët.

“Do të kemi një fluks shumë të madh të mjeteve. Prej kohësh është shtuar fluksi. Për mjetet që janë të planifikuara nga UEFA për menaxhimin, për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, por kemi një fluks të jashtëzakonshëm dhe të tifozëve.

Do të kemi disa kufizime shumë të ndjeshme të lëvizjes në qytetin e Tiranës, kryesisht në ditën e nesërme për t’iu krijuar lehtësia sa më të mëdha tifozëve të cilët e njohin pak qytetin tonë, por janë dhe në numër të konsiderueshëm. Prandaj ne kemi shpallur bashkëpunim me entet pronare të rrugëve për të bërë një sërë kufizimesh që do na mundësojnë lehtësirat për tifozët.

Ka një numër shumë të madh të tifozëve që po vijnë nga Rinasi dhe Durrësi. Duke u nisur nga ky fluks shumë i madh, policia rrugore ka marrë masa kufizimi të qarkullimit. Kufizimi është ndarë në disa nivele.

Kufizimi i parë ka të bëjë me rrugët interurbane kryesore që furnizojnë Tiranë dhe kanë të bëjnë më tepër nga krahu që vijnë tifozët, Rinas-Tiranë, Durrës-Tiranë dhe aksi Fushë-Krujë-Tiranë sepse ka një numër tifozësh sipas njoftimeve të cilët do të zbresin në aeroportin e Prishtinës dhe Potgoricës që do të drejtohen me autobusë dhe mjete private të marra me qira në këto shtete në drejtim të Tiranës. Shtojmë dhe krahun e Elbasanit.

Në mënyrë kategorike nuk do të lejojmë asnjë mjet të tonazhit të rëndë të qarkullojë në këtë interval kohe duke filluar nga mëngjesi i nesërm deri në mëngjesin e datës 25. Nuk do lejohet asnjë mjet i tonazhit të rëndë.

Rrugën Tiranë-Durrës, Durrës-Tiranë, Rinas-Tiranë, pjesën e TEG-ut në drejtim të Tiranës, Fushë-Krujë, krahu i Vorës do të jenë rrugë të dedikuara vetëm për mjete që transportojnë tifozë që do të marrin pjesë brenda stadiumit për të parë ndeshjen, ose që janë të organizuar për të ardhur për të parë ndeshjen në fan-zonat e përcaktuara.

Do të jetë një kufizim i plotë. Kemi marrë masat, kemi njoftuar shërbimet përkatëse. Janë rrugë totalisht të dedikuara për mjetet që transportojnë tifozë.

Pjesa e dytë e kufizimeve ka të bëjë me Unazën e Mesme, e cila do i dedikohet mjeteve të tifozëve, të cilët kanë disa stacione të përcaktuara. Janë përcaktuar dhe parkimet. Janë përcaktuar Rruga e Kosovarëve dhe parkimet rreth kësaj rruge janë të dedikuar për tifozë italianë. Pjesa që ka të bëjë me dy krahët e Bulevardit Bajram Curri dhe Zhan D’ark janë të dedikuar për autobusë që transportojnë tifozët e Feyenoord.

Kufizimi i tretë do të jetë Unaza e Vogël. Nuk do ketë asnjë lidhje hyrëse nga Unaza e Mesme në Unazën e Vogël. Të gjitha rrugët lidhëse do jenë të bllokuara dhe nuk do të lejohet asnjë mjet për të hyrë. Këtu lejohet vetëm 3 kategori mjetesh që do të lejohen, kategoria e mjeteve që shoqërohet nga policia, ekipet, personalitet VIP të përcaktuara nga UEFA që do të shoqërohen me eskortë të policisë, janë media e cila hyn nga rruga Dervish Hima. Pjesa tjetër që kanë bileta do të hyjnë nga sheshi Shopen.

Brenda Unazës së Vogël nuk do ketë qarkullim, do të jetë një zonë pedonale, përveç një harku kohor të përcaktuar 2 orë para ndeshjesh që do qarkullojnë këto mjete të dedikuara”, tha Qato.