AKTUALITET, 16 Nëntor 2023, 21:59

Eugen Beci: Rastet kur Beleri mund të fitojë një leje 48 orëshe për t’u betuar si kryebashkiak

Eugen Beci: Rastet kur Beleri mund të fitojë një leje 48

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, sqaroi në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, se çfarë parashikon ligji për lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, që ai të ketë mundësi të bëjë betimin si i zgjedhur në zgjedhjet e 14 majit.

Sipas Becit, Beleri mund të përfitojë një lirim 48 orësh në rast se ka një fatkeqësi në familje, martesë, sëmundje të rëndë të familjarëve, apo të japë një provim.  

“Një i paraburgosur, derisa nuk ka marrë një vendim të formës së prerë, që të dalë nga burgu me një leje të veçantë, siç quhet sipas ligjit, është neni 73 që përcakton se ky i paraburgosur, mënyra se si del është me leje të institucionit dhe me miratim të prokurorit që ka çështjen. Pra kemi një miks mes administratës së burgjeve dhe drejtësisë. Në rast se administrata e burgut e refuzon këtë leje, personi ka të drejtë të ankohet në gjykatën që po ndjek çështjen. Por që t’i jepet leja ka disa kritere të posaçme dhe këtu është ndërhyrja politike, që tërhiqet si llastiku. Leja deri në 48 orë për të paraburgosurin, p.sh. që të realizojë betimin, duhet që të ketë me vërtetim mjekësor njërin prej familjarëve të tij të sëmurë rëndë. E dyta, për ngjarje të rëndësishme familjare si vdekje, lindje, ose martesë si dhe në rastet e dhënies së provimeve nga vetë i dënuari.

Siç duket administrata e burgjeve po rri shumë ftohtë dhe thotë se ky njeri nuk ka asnjë njeri të sëmurë, as dasëm, as vdekje, as provim për të dhënë”-tha Beci.