TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Huadhënia për sektorin privat ka pësuar ngadalësim gjatë vitit 2023, ndërsa e kundërta ka ndodhur për individët. Në një analizë të tendëncës për kreditim, Banka e Shqipërisë vëren se ngadalësimi i huadhënies për sektorin privat është i ngjashëm me ekonomitë e rajonit dhe ato partnere. Megjithatë, normat e saj të rritjes vijojnë të jenë ndër më të lartat në rajon. Sipas Bankës Qendrore, ngadalësimi i kredisë për sektorin privat i atribuohet më së shumti tkurrjes së huasë për likuiditet nga ana e bizneseve. Rritja e vazhduar e kërkesës së brendshme dhe rritja e fortë e kërkesës së huaj, kryesisht për turizëm, ka përmirësuar likuiditetin e bizneseve, që kanë preferuar të shlyejnë një pjesë të kësaj kredie gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Financimi i bizneseve dhe i individëve ka qenë në lekë, i ndikuar ndër të tjera nga normat më të ulëta të interesit për kreditë në lekë dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Këta faktorë, sipas Bankës së Shqipërisë, kanë shtyrë bizneset dhe individët të zhvendosin një pjesë të portofoleve të kredive të tyre nga valuta në lekë. Kjo ecuri është reflektuar edhe në një strukturë valutore më të balancuar të kredisë.
Ndërkohë, analiza e kredisë sipas madhësisë së bizneseve tregon se huaja është tkurrur për biznesin e madh, ngadalësuar për atë të mesëm dhe është përmirësuar për biznesin e vogël. Sipas sektorëve të ekonomisë, vërehet tkurrja e kredisë në sektorin e industrisë, përmirësimi i saj në sektorin e shërbimeve dhe ngadalësimi në sektorët e tjerë. Financimi i bankave është i orientuar drejt sektorëve që kanë dhënë kontributin më të madh në rritjen ekonomike, si tregtia, ndërtimi dhe turizmi. Analiza e kredisë së individëve sipas qëllimit të përdorimit tregon se ngadalësimi i normave të rritjes së kredisë hipotekare është kompensuar nga rritja më e shpejtë e kredisë për konsum. Këto zhvillime janë mbështetur si nga një kërkesë në rritje e individëve për financimin e konsumit dhe investimeve në banesa, ashtu edhe nga kushtet favorizuese të ofertës për kredi.
Këto të fundit kanë mbetur të favorshme për rritjen e kreditimit edhe në prani të normalizimit të politikës monetare. Kështu, normat e interesit për kreditë e reja në lekë në dy tremujorët e fundit kanë ndjekur ecuri rënëse, si për bizneset edhe për individët. Interesat e kredisë në lek kanë reflektuar kryesisht prirjen e fortë rënëse të yield-eve të bonos 12-mujore dhe reduktimin e primeve të rrezikut.
Në të njëjtën kohë, nën trysninë e shtuar të konkurrencës mes tyre, bankat mbajtën të pandryshuara standardet, kushtet e termat e kreditimit për bizneset, për herë të parë që prej fillimit të ciklit normalizues të politikës monetare. Paralelisht, ato kanë vazhduar të lehtësojnë kushtet për kreditë për individë, si për konsum, ashtu edhe për blerje banese.