AKTUALITET, 18 Shtator 2023, 14:08

“E vlerësova Ramën për mbylljen e lojërave të fatit në 2013”, deputeti i PD: Pasojat do të jenë të jashtëzakonshme, po i fusni bastet në çdo derë

“E vlerësova Ramën për mbylljen e lojërave të

Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani është shprehur kundër ligjit për lojërat e fatit, ndërsa renditi disa nga arsyet se pse ishte skeptik. Ai tha në komisionin e Ligjeve se kishte përshëndetur nismën e Ramës në vitin 2013 për mbylljen e lojërave të fatit, që sipas tij edhe e solli në pushtet.

Po ashtu ai tha se me këtë projektligj do të mundësohet luajtja e basteve online në çdo shtëpi. Ai tha mes të tjerash se pasojat do të jenë të jashtëzakonshme.

“Një nga armët më të forta që Rama erdhi në pushtet ishte mbyllja e kazinove, e kafeneve, që përdoreshin për të luajtur bixhoz. Të them të drejtën e kam vlerësuar si një nismë shumë me rëndësi, pasi plagët sociale, nga ato lojërat e fatit të vitit 2013 kishin krijuar probleme më shoqërinë shqiptare.

Ai arriti deri aty sa t’u thoshte nënave shqiptare se; ‘pagën e burrave do jua sjellim në shtëpi’. E kam vlerësuar si nismë shumë të mirë, pasi pasojat ishin të jashtëzakonshme, ishte rritur numri i vrasjeve, vjedhjeve, borxheve, sherreve, por këto lojëra fati na paskan vazhduar deri në 2018-ën. Deri në 2018 u ndërprenë. Por pas këtij viti rezulton se 4 mijë individë apo kompani paskan punuar në të zezë.

Por çfarë ndryshoi që po tentoni që t’i hapni bastet online? A nuk i shkatërron rininë këto baste? Ne kemi pasur dhe një studim nga Universiteti i Tiranës mbi plagët që ka lënë të të rinjtë këto baste. Këto baste deri dje, kanë qenë fizikisht, edhe te dera e pallatit. Sot i keni futur në çdo derë, në çdo familje shqiptare përmes telefonit.

Nga krevati, nga dhoma e gjumit, nga kuzhina, çdo qytetar mund të vërë bast përmes telefonit. E morët nga rruga dhe e futët në shtëpi. Kjo qeveri ka dështuar në parandalimin e këtij fenomeni.”, tha ai.