AKTUALITET, 27 Janar 2022, 14:24

Celibashi rikujtesë kryetarëve të Njësive Administrative: Lajmëroni me shkrim zgjedhësit për 6 Marsin

Celibashi rikujtesë kryetarëve të Njësive Administrative:

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i rikujton kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në 6 Mars, detyrimin që kanë për të lajmëruar me shkrim zgjedhësit e përfshirë në listën e zgjedhësve të shpallur tashmë nga zyrat e gjendjes civile për qendrat e votimit.

Lajmërimi me shkrim i zgjedhësve duhet të përmbajë informacion mbi qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit.

Zgjedhjet e pjesshme të datës 6 mars zhvillohen në një kohë të shkurtër, ndaj kryetarët e njësive të qeverisjes vendore duhet ta përmbushin këtë detyrim sa më parë, në mënyrë që zgjedhësit të kenë kohën e mjaftueshme për tu njohur me informacionin e nevojshëm zgjedhor.

Kryetarët e njësive të qeverisjes vendore me përmbushjen e këtij detyrimi që u buron nga Kodi Zgjedhor, duhet të raportojnë në KQZ të paktën një herë në javë.

Mos njoftimi me shkrim i zgjedhësve dhe mos raportimi në KQZ, sanksionohet me masë administrative nga Kodi Zgjedhor.

Gjithashtu, KQZ apelon qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, të kontrollojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve dhe vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit pranë njësive të tyre administrative, si edhe në faqen zyrtare të KQZ-së, www.kqz.gov.al dhe të Ministrisë së Brendshme www.mb.gov.al.