AKTUALITET, 11 Dhjetor 2022, 12:45

Berisha uron 32-vjetorin e PD-së, Alibeaj e sulmon nga festa e tij: Po e kthen partinë në repart sulmesh kundër Perëndimit

Berisha uron 32-vjetorin e PD-së, Alibeaj e sulmon nga festa e tij: Po e
Berisha dhe Alibeaj

Partia Demokratike feston sot 32-vjetorin e themelimit më 11 dhjetor 1990. Festimet e këtij viti, sërish e gjejnë PD-në si një vit më parë të përçarë mes PD-së së Berishës që ka anëtarësinë dhe mbështetjen në elektorat dhe grupit të Bashës të përfaqësuar nga Alibeaj që ka vulën.

Grupi i Enkelejd Alibeajt e festoi 32-vjetorin me një takim festiv sot paradite, ndërsa PD-ja e Berishës do të ketë një ceremoni pasdite.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka shprehur urimin e tij për 32-vjetorin e kësaj force politike.

Sipas Berishës përvjetori i themelimit të Partisë Demokratike është njëherazi edhe përvjetori i pluralizmit politik në Shqipëri.

“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Demokratike! Gëzuar 32 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike njëherazi dhe pluralizmit politik në Shqipëri”, shkroi Berisha.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, duke folur në festimin e 32-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, tha se kjo forcë politike do mbetet partia e vlerave anti-komuniste. Ai sulmoi indirekt Berishën duke u shprehur se “çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së duke e kthyer atë nga një institucion i perëndimit për ta kthyer në një repart sulmesh kundër Perëndimit është një moment që duhet ta kthejnë”.

Berisha uron 32-vjetorin e PD-së, Alibeaj e sulmon nga festa e tij: Po e
Festa e grupit të Alibeajt

“Do të mbetemi partia e vlerave anti-komuniste. Jemi njerëz të lirë e t'i themi gjërat siç janë. Çdo tradhti çdo largim nga këto vlerave është një tradhti ndaj demokratëve dhe PD-së, këtë duhet ta themi fort. Çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së duke e kthyer atë nga një institucion i perëndimit për ta kthyer në një repart sulmesh kundër Perëndimit është një moment që duhet ta kthejmë. Duhet të bëjmë sakrificën sublime secili prej nesh. Askush nuk duhet të ndihet i joshur për të bërë negociata me këto vlera. Mendësia komuniste duhet të ishte larguar’- tha Alibeaj.

Edhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka uruar demokratët në kuadër të festimeve për 32-vjetorin e Partisë Demokratike.

“Partia Demokratike ka lindur e re dhe do të mbetet e re, ka lindur europiane dhe do të mbetet europiane, ka lindur kombëtare dhe do të mbetet kombëtare, ka lindur mes sakrificash, e mbi sakrificat do të ngrihet më e fortë, ka lindur si shpresë e shqiptarëve për ndryshim dhe do të jetë sërish shpresa e tyre, ka lindur e madhe dhe do të bëhet edhe më e madhe, për Shqipërinë, për demokracinë.

Gëzuar 32 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Shqipërinë!”- shkroi Basha në Facebook.