AKTUALITET, 18 Shtator 2023, 10:30

Apeli i GJKKO-së lë në fuqi masën 'arrest në burg' për Fredi Belerin

Apeli i GJKKO-së lë në fuqi masën 'arrest në

Fredi Beleri mbetet sërish në burg.

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i arrestuar për shitblerje votash dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Ai kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, teksa në Gjykatën e Posaçme ishte dhe ambasadorja greke, Kostandina Kamitsi si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule.

Më 14 shtator Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Në seancën paraprake prokurorët e çështjes deklaruan se provat dhe faktet në dispozicion, përfshirë audio-përgjime, mbështesin akuzën e ngritur prej tyre. Edmond Dema, avokati mbrojtës i Belerit, kërkoi pushimin e çështjes, me pretendimin se provat janë të paligjshme. Por gjykata mësohet se e ka konsideruar të plotë hetimin e Prokurorisë, duke i hapur rrugë nisjes së procesit gjyqësor.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.