AKTUALITET, 15 Gusht 2022, 14:36

A ka mazhoranca plan të heqë Berishën nga Parlamenti me ligj?

A ka mazhoranca plan të heqë Berishën nga Parlamenti me ligj?

Mazhoranca duket se po mendon të ndërmarrë hapa për largimin e Sali Berishës nga Parlamenti, duke shfrytëzuar si argument shpalljen e tij non-grata nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar. 

Mekanizmi ligjor që do të përdoret për të arritur këtë qëllim është i paqartë, por eksponentë të Partisë Socialiste kanë paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme hapa ligjorë për largimin e "non-gratave" nga Kuvendi. 

Edhe sot, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se është e papranueshme që Berisha të vijojë të jetë në Kuvend, duke paralajmëruar se "Kuvendi i Shqipërisë do të adresojë gjatë sersionit të ri" këtë situatë. 

Socialistët mund të kërkojnë ndryshime në ligjin e dekriminalizimit, për të përfshirë personat e shpallur non-grata nga SHBA-të. 

Një nismë e tillë mund të kishte sukses, duke patur parasysh se Berisha nuk e ka mbështetjen e plotë të grupit parlamentar demokrat dhe deputetët e "grupit Alibeaj", mund të bashkonin votat me mazhorancën. 

Kuvendi i Shqipërisë do të adresojë gjatë sesionit të ri që fillon në Shtator situatën e papranueshme dhe absurde se si një sekretar partie dhe njeri i afërt me udhëheqjen e diktaturës komuniste, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e madhe, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij”, shkruan Balla.