TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i PD-së në Pogradec, Gentian Çela, ka hedhur akuza se është tentuar të fshihet vrasja e 42-vjeçarit Egli Proga, baba i dy fëmijëve, që dyshohet se u dhunua brutalisht nga 29-vjeçari Denis Meçe.
“Deklarata e parë e dalë nga Komisariati i Policisë në Pogradec, fshihte vrasjen e ndodhur në zonën më të populluar të qytetit duke e raportuar si vdekje natyrale”, u shpreh ai në një deklaratë për mediat.
Ai kërkoi shkarkimin e drejtuesit të komisariatit dhe shtoi se “Pogradeci ka nevojë për siguri dhe një polici që mbron qytetarët nga krimi edhe kur kryhet nga njerëzit e pushtetit.”
Deklarata e plotë:
Pogradeci është tronditur nga vrasja e një 42 vjeçari, babai i dy fëmijëve të vegjël.
I ndjeri Egli Proga ndërroi jetë pas dhunës barbare të shkaktuar nga Denis Meçe, familjar i një drejtuesi të Partisë Socialiste, i njohur për bëmat në korrupsion dhe përfitues tenderash në Bashkinë e Pogradecit.
Deklarata e parë e dalë nga Komisariati i Policisë në Pogradec, fshihte vrasjen e ndodhur në zonën më të populluar të qytetit duke e raportuar si vdekje natyrale.
Falë reagimit, presionit qytetar dhe dëshmitarëve okularë, ngjarja u raportua dhe autori u ndalua.
Partia Demokratike, se pari i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes se të vrarit.
Në emër të qytetarëve të Pogradecit ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të drejtuesit të komisariatit Elton Halili, ndjekjen penale të tij për fshehje të krimit. Institucioni i cili duhet të parandalojë dhe zbulojë veprat penale, nuk mund t’i mbulojë ato për qëllime politike.
Jeta e qytetarëve është më e shtrenjte se interesi i partisë.
Policia e narkoshtetit është sot qartësisht e nënshtruar nga dora e krimit të veshur me pushtet, që merr jetë njerëzish të pafajshëm.
Pogradeci ka nevojë për siguri dhe një polici që mbron qytetarët nga krimi edhe kur kryhet nga njerëzit e pushtetit.
Pogradeci ka nevojë për qetësi, pa banda të mbështetura dhe promovuara që nga kreu i qeverisë prej 3 mandatesh dhe deri të patronazhisti lokal.
Mandatet e qeverisë së Edi Ramës janë kthyer në mandata për njerëzit e thjeshtë dhe leje për të vrarë për njerëzit e pushtetit.