AKTUALITET, 2 August 2026, 11:32

Aksidenti në galeritë e Bulqizës, minatori ende i bllokuar nën tokë, sindikata ngre alarmin për kushtet e sigurisë në miniera

Që prej mesditës të së shtunës në minierën e Tërnovës së Madhe në Bulqizë ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimin për gjetjen e trupit të minatorit Ilir Kalaveri që u zu poshtë nga një masiv kromi teksa ishte duke punuar në galeri.

Minatori 40-vjeçar me detyrë brigadier në minierën që administrohet nga kompania “Eternal Security” dyshohet se ka rënë në një furnelë gjatë procesit të punës dhe gjetja e trupit të tij ende nuk është bërë e mundur.

Kjo ngjarje ngre pikëpyetje të mëdha dhe shqetësim serioz për zbatimin me përpikëri të protokollit të mbrojtjes gjatë punës në minierë nga ana e kompanisë që shfrytëzon këtë galeri kromi.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ka reaguar edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila shpreh shqetësimin se ky nuk është një rast i izoluar, duke argumentuar se aksidentet në punë vazhdojnë të përsëriten në sektorin minerar, në ndërtim, në energjetikë, në transport, në bujqësi dhe në sektorë të tjerë, ndërsa punëtorët vazhdojnë të paguajnë me jetën ose me shëndetin e tyre mungesën e sigurisë në vendin e punës.

 

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kërkon që hetimi për këtë ngjarje të jetë i plotë, i pavarur dhe transparent dhe përgjegjësit për këtë ngjarje të rëndë të vihen përpara përgjegjësisë ligjore, nëse konstatohen shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Ndaj KSSH u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që çdo aksident në punë duhet të hetohet me seriozitet dhe jo të mbyllet si statistikë e radhës.