TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka nisur protesta e 63-të në Tiranë, ku qytetarë nga mbarë Shqipëria dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” për t’iu bashkuar tubimit kundër qeverisë.
Protestuesit kanë nisur grumbullimin në qendër të kryeqytetit, ndërsa organizatorët kanë njoftuar se kjo protestë do të ketë pjesëmarrje të gjerë edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Pas mbledhjes në sheshin “Skënderbej”, pritet që turma të marshojë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe selisë së Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të përcillen mesazhet e organizatorëve.
Kjo protestë vjen pas më shumë se dy muajsh tubime të përditshme në Tiranë. Pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe kanë përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të çonte drejt zgjedhjeve të reja.
Diaspora shqiptare e ka cilësuar pjesëmarrjen në protestën e sotme si një mesazh solidariteti me qytetarët brenda vendit, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për një tubim masiv dhe paqësor.
Sipas njoftimeve të shpërndara nga komunitetet e diasporës në rrjetet sociale, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë ftuar t’i bashkohen tubimit.
“Ka nisur numërimi mbrapsht. Vrisni frikën, merrni pjesë në protestë. Rama i ka ditët e numëruara”, thuhet në apelin e tyre.
Organizatorët kanë bërë apel për pjesëmarrje sa më të madhe duke e cilësuar atë si një nga mobilizimet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, ndërsa theksojnë se pjesëmarrja e diasporës do të jetë një element kyç i tubimit.