AKTUALITET, 1 August 2026, 18:59

Reforma Territoriale has rezistencë në Selenicë, banorët protestë kundër shkrirjes

Kundërshtimet ndaj reformës së re territoriale vijuan edhe këtë të shtunë në Bashkinë e Selenicës. Banorë të zonës, përfaqësues të fshatrave, intelektualë, drejtues vendorë dhe qytetarë u mblodhën në qendër të qytetit, ku zhvilluan Kuvendin e Selenicës për të diskutuar mbi të ardhmen e bashkisë.

Gjatë takimit u diskutuan argumentet pro dhe kundër reformës territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë së Selenicës dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Vlorës. Paralelisht, pjesëmarrësit diskutuan edhe hapat që do të ndërmerren për të kundërshtuar projektin dhe për të mbrojtur vazhdimësinë e Selenicës si bashki më vete.

Një prej organizatorëve të kuvendit, Ilia Bombaj, shpjegoi arsyet që çuan në organizimin e këtij takimi. Ai renditi argumentet pse, sipas tij, Selenica nuk duhet të humbasë statusin e bashkisë, duke theksuar historinë, shtrirjen territoriale, numrin e fshatrave dhe rëndësinë që shërbimet të mbeten pranë qytetarëve. Bombaj komentoi edhe deklaratat e deputetit Ardit Bido, i cili është shprehur në favor të bashkimit të Selenicës me Vlorën.

Ish-kryetari i Bashkisë së Selenicës, Përparim Shametaj, u shpreh gjithashtu kundër reformës territoriale. Sipas tij, shkrirja e bashkisë nuk sjell zhvillim, por dëmton zonën dhe interesat e banorëve. Ai kërkoi që qytetarët të dëgjohen përpara se të merret një vendim përfundimtar.

Në takim folën edhe banorë dhe intelektualë të zonës, të cilët kërkuan të hiqet dorë nga reforma që parashikon bashkimin e Selenicës me Vlorën. Sipas tyre, qytetarët do të detyroheshin të udhëtonin drejt Vlorës edhe për shërbimet më të thjeshta administrative, duke krijuar vështirësi të mëdha, veçanërisht për banorët e fshatrave. Në përfundim të Kuvendit të Selenicës, pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë përpjekjet institucionale dhe qytetare për të kundërshtuar reformën territoriale. Ata theksuan se synimi i tyre mbetet ruajtja e Bashkisë së Selenicës si njësi e pavarur e pushtetit vendor.