AKTUALITET, 1 August 2026, 22:32

1200 metra katrorë dhe vlerë 2.6 milionë euro, zbulohet kështjella e Ermal Beqirit në Francë (Foto)

Një kështjellë luksoze në Francë, me vlerë rreth 2.6 milionë euro, është prona për të cilën SPAK ka kërkuar sekuestrimin dhe që identifikohet si pasuri e lidhur me biznesmenin Ermal Beqiri.

Prona që tërheq vëmendjen është Château d’Auteuil, e vendosur në Berneuil-el-Bray, në zonën e Oise, rreth një orë larg Parisit. Identifikimi i saj lidhet me informacionet e publikuara në faqen zyrtare të kështjellës, si edhe me njoftimin e SPAK, i cili përcakton se prona ndodhet në Oise.

Në përshkrimin zyrtar të kështjellës thuhet:

“Château d'Auteuil në Berneuil-el-Bray është një vend ekskluziv dhe pak i njohur për publikun, një monument historik privat i vendosur rreth një orë larg Parisit, në Oise.”

Sipas regjistrave francezë të pasurive të paluajtshme, më 30 dhjetor 2024, Château d’Auteuil është shitur për shumën 2.612.200 euro. Kjo vlerë përputhet pothuajse plotësisht me shumën e përmendur nga SPAK për blerjen e një kështjelle në zonën e Oise.

Sipas të dhënave të publikuara për pronën, kështjella është ndërtuar në stilin e Luigjit XIII, është ngritur në fund të shekullit XVI dhe është rindërtuar në mënyrë identike në vitin 1840 nga konti i ri Archambault de Combauld de Bourbon.

“Prej 15 vitesh, pronarët e apasionuar janë angazhuar në restaurimin e saj për t’i rikthyer shkëlqimin e dikurshëm”, thuhet në përshkrimin e pronës.

Kështjella përfshin rreth 50 ambiente, me një sipërfaqe totale prej 1.200 metrash katrorë, të cilat po restaurohen gradualisht duke kombinuar elementët klasikë, si parketet në stilin e Versajës dhe oxhaqet prej mermeri, me komoditetet moderne.

Gjithashtu, prej rreth 10 vitesh, pesë dhoma dhe suita luksoze të kështjellës janë vënë në dispozicion të vizitorëve, duke ofruar qëndrime turistike në këtë monument historik privat.

SPAK ka kërkuar sekuestrimin e kësaj pasurie në kuadër të procedurave të ndjekura për hetimin e pasurive të lidhura me biznesmenin Ermal Beqiri.

6a6e5566c895drezidenca1.jpg6a6e55e0d6134Screenshot_3.jpg-640-0-whatsapp-image-2026-08-01-at-224623-1785617291.jpeg-640-0-598856d3081feef97db88b6d50b8177e.jpegwmremove-transformed (5).jpegwmremove-transformed (9).jpeg