AKTUALITET, 1 August 2026, 17:54

Pylli i Sodës ‘pushtohet’ nga kamperat e çadrat! Të rinjtë europianë: Larg zhurmës

Mes pishave në Pyllin e Sodës, grupe të rinjsh, ardhur nga vende të ndryshme të Europës kanë gjetur një oaz qetësie.

Për shumë prej tyre, Vlora është ndalesa e dytë e një aventure që do t'i çojë edhe ne vende të tjera. "Kemi plan të vizitojmë gjithë Shqipërinë, Fillimisht ishim në veri dhe tani po eksplorojmë jugun”, thotë një djalë. Mes turistëve janë edhe 19 skautistë nga Vjena, të cilët do të qëndrojnë 2 javë. “Kam ardhur nga Vjena së bashku me një grup skautësh. Jemi gjithsej 19 vetë dhe do të qëndrojmë në Vlorë për rreth dy javë. Po na pëlqen shumë natyra”, shprehet një turiste.

Në kamping gjejmë edhe studentë italianë, që kanë zgjedhur të udhëtojnë me një furgon dhe të flenë në çadra, duke e kthyer pushimin në një eksperiencë ndryshe. “Shumë bukur, më pëlqen vendi, është i përshtatshëm dhe për familje, jo vetëm grupe shoqërore”. “Po më pëlqen! Është një vend i bukur, me njerëz të mirë dhe peizazhe të mrekullueshme.”

“Është një përvojë e re. Hera e parë për pushime pa prindërit, por me shoqërinë. Dua të fitoj përvojë, të udhëtoj dhe ta njoh më mirë botën”, shprehen disa prej tyre. Kampingjet, tregjet lokale dhe bizneset familjare u mundësojnë turistëve të shijojnë Vlorën pa pasur nevojë për buxhete të mëdha.