AKTUALITET, 1 Shtator 2019, 22:47

Vetëm Interi dhe Torino mbajnë hapin e Juves, zikaltërit i falen një “heroi” të ri

Vetëm Interi dhe Torino mbajnë hapin e Juves, zikaltërit i falen

Ndeshjet e javës së dytë të Serisë A kanë lënë në kryesim me pikë të barabarta vetëm tri skuadra: Juventusin, Torinon dhe Interin. Të gjitha skuadrat e tjera kanë lënë pikë rrugës duke konfirmuar një konkurrencë të ashpër në kampionatin italian në këtë edicion.

Sot, Interi mori fitoren e dytë pas një dueli të vështirë në fushën e Kaljarit, të mbyllur me suksesin 2-1 për skuadrën e Kontes. Gjithçka ishte meritë e Stefano Sensit, edhe pse ai nuk gjeti rrugën e rrjetës. Fillimisht ai harkoi për Lautaro Martinez i cili shënoi golin e avantazhit në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë fitoi 11-metërshin e transformuar saktësisht nga Lukaku që çoi shifrat në 2-1 pasi Zhoao Pedro kishte barazuar përkohësisht takimin.

Ndërkaq, Torino fitoi 3-2 në fushën e Atalantës me pretendime, pasi përmbysi rezultatin e vendasve të cilët e panë veten në avantazh 2-1 pak minuta pas fillimit të pjesës së parë. Surprizë ishte fitorja 3-1 në transfertë e Parmës ndaj Udinezes, ashtu si e Veronës 1-0 në fushën e Leçes, në një sfidë ku Kumbulla ishte përsëri titullar, por u zëvendësua në minutat e fundit të sfidës.

Ndeshjet

Atalanta-Torino 2-3

Kaljari-Inter 1-2

Xhenoa-Fiorentina 2-1

Leçe-Verona 0-1

Sasuolo-Sampdoria 4-1

Udineze-Parma 1-3