AKTUALITET, 1 Shtator 2019, 21:10

Solomon bën gjithçka, Partizani merr tri pikë mes vuajtjesh me Flamurtarin

Solomon bën gjithçka, Partizani merr tri pikë mes vuajtjesh me

Një gol i nigerianit Solomon i ka mjaftuar Partizanit për të marrë tri pikët përballë Flamurtarit, në një ndeshje që ka rezultuar shumë më e komplikuar se sa mendohej për të kuqtë. Pritej dominimin i kampionëve, por ai ka zgjatur vetëm 30 minuta, aq sa i mjaftoi Solomon për të gjetur rrjetën e më pas për t’u ndëshkuar me karton të kuq për një faull në sulm ndaj Deliajt.

Një episod që ndikoi plotësisht sfidën, pasi te Partizani vendosën të ktheheshin në mbrojtje duke i lënë kontrollin e lojës vlonjateve të cilët u përpoqën në të gjitha mënyrat, por nuk kishin forcën për të rrezikuar portën e Hoxhës.

Të kuqtë administruan rezultatin dhe harruan plotësisht sulmin, një mënyrë efikase për të marrë tri pikët, por që zhgënjeu në aspektin e lojës përballë një ekipi, cilësia e të cilit ishte dukshëm më e ulët. Gjithsesi, Partizani e mbylli ndeshjen jo pa drithërima pasi në fund vlonjatët krijuan disa raste duke iu afruar një barazimi që do të kishte qenë padyshim i bujshëm.

Bylisi ka arritur të marrë fitoren e parë në këtë sezon, duke shkatërruar Skënderbeun me rezultatin e pastër 0-3. Ballshiotët kanë dominuar takimin duke zhbllokuar që në pjesën e parë ndërkohë që kanë shënuar edhe 2 gola të tjerë në pjesën e dytë.

Ka qenë Peposhi ai që ka shënuar golin e parë në Superiore për Bylisin, ndërkohë që Guindo e Hidi në pjesën e dytë kanë vulosur fitoren. Me këtë fitore, Bylisi kap kuotën e katër pikëve, ndërkohë që Skënderbeu qëndron në kuotën e 6 pikëve.