AKTUALITET, 31 July 2026, 10:39

Vendimi/ Bllokohen ndërtimet në bregdet deri më 15 Shtator, ja cilat punime përjashtohen dhe orari i lejuar

Për të garantuar një mjedis të qetë e pa ndotje për pushuesit vendas e të huaj, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për pezullimin e menjëhershëm të punimeve të ndërtimit dhe aktiviteteve lidhëse në të gjitha zonat turistike të vendit gjatë sezonit veror 2026.

Vendimi, i mbështetur në Ligjin për Turizmin, e shtrin periudhën e ndalimit që nga hyrja e tij në fuqi deri më 15 shtator 2026.

Çfarë ndalohet rreptësisht gjatë sezonit?

Sipas përcaktimeve zyrtare, përgjatë muajve të verës pezullohen të gjitha proceset e ndërtimit që shkaktojnë ndotje akustike, pluhur apo shqetësime për turistët. Pezullohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve.

Ndalohen të gjitha punimet që nga hedhja e themeleve, gërmimet, deri në përfundimin e plotë të ngritjes së karabinasë së objektit.

Ndalohet çdo aktivitet ndërtimor që shkakton zhurmë, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.

“Nga pezullimi përjashtohen vetëm rifiniturat e brendshme dhe punimet e vogla pas karabinasë, për aq sa nuk shkaktojnë ndotje akustike apo pluhur, dhe vetëm brenda fashës orare 08:00–17:00.”, thuhet në vendim.

Përjashtimet e lejuara dhe fasha orare

Rregullorja e re lejon vetëm një kategori të kufizuar punimesh jo-shqetësuese. Ndërtuesit mund të vijojnë rifiniturat e brendshme dhe punimet e vogla brenda objekteve që kanë përfunduar strukturën e karabinasë (të pajisura me lejet përkatëse), si dhe sistemimin e kantiereve.

Sidoqoftë, këto punime të lejuara duhet të kryhen exclusivisht brenda fashës orare 08:00 – 17:00, duke respektuar orët e pushimit të pushuesve.

Shtyrja e lejeve dhe territori ku zbatohet

Për të mos dëmtuar financiarisht subjektet ndërtuese, vendimi parashikon se e gjithë periudha e pezullimit do të përllogaritet automatikisht si afat shtesë mbi afatin e lejeve të ndërtimit apo zhvillimit të dhëna nga bashkitë apo Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU).

Gjeografikisht, ndalimi përfshin të gjithë brezin bregdetar, qendrat historike, zonat e mbrojtura natyrore dhe qendrat urbane turistike. Përveç kësaj, pezullimi do të zbatohet edhe për kantiere jashtë këtyre zonave nëse aktivitetet e tyre (si transporti i inerteve apo zhurmat) ndikojnë në ecurinë e turizmit.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Turizmit, bashkitë e vendit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe KKTU.