TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas propozimit të PS për shkrirjen e bashkisë Memaliaj, kryebashkiaku Albert Malaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në protestë kundër draftit të ri të ndarjes territoriale.
Përmes një reagimi në Facebook, Malaj shprehet se pavarësisht kundërshtimeve të ngritura në dëgjesat zyrtare në Gjirokastër dhe në Kuvendin e Shqipërisë, argumentet e paraqitura nuk janë marrë në konsideratë.
Sipas tij, mungon transparenca dhe konsultimi me banorët e Memaliajt, edhe pse bashkia është e dyta në qarkun e Gjirokastrës për nga numri i banorëve dhe sipërfaqja.
“Kam paraqitur të gjitha argumentet që tregojnë se një vendim i tillë sjell humbje të identitetit, traditave dhe kulturës sonë, ngadalëson ritmin e zhvillimit ekonomik, nxit më tej shpopullimin dhe bie ndesh me frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, shprehet Malaj.
Kryebashkiaku u bën thirrje banorëve të qytetit dhe 53 fshatrave të bashkisë që të marrin pjesë në protestën e thirrur këtë të premte.
Reagimi i plotë:
Të dashur banorë të Bashkisë Memaliajt,
Në respekt të qindra mesazheve që më keni dërguar, ku me të drejtë kërkoni të protestoni për padrejtësinë që po i bëhet qytetit të Memaliajt dhe 53 fshatrave të tij mbi fshirjen e bashkisë në kuadër të hartës së re territoriale të propozuar, dua t’ju drejtohem me këtë mesazh;
SI Kryetar i Bashkisë Memaliaj, ndonëse kam marrë pjesë në dëgjesën e zhvilluar në Gjirokastër dhe në seancën dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë ku e kam kundërshtuar me forcën e argumentit propozimin që Bashkia Memaliaj të shkrihet, argumentat nuk janë marrë për bazë. Edhe pse Bashkia Memaliaj është bashkia e dytë në qarkun e Gjirokastrës, si për numrin e banorëve, ashtu edhe për sipërfaqen e tij mungon transparenca dhe mungon dëgjesa publike me komunitetin e Bashkisë Memaliaj për të dëgjuar zërin real të tyre.
Kam paraqitur të gjitha argumentet që tregojnë se një vendim i tillë sjell humbje të identitetit, traditave dhe kulturës sonë, ngadalëson ritmin e zhvillimit ekonomik, nxit më tej shpopullimin dhe bie ndesh me frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në një kohë kur kjo bashki po merrte gjallëri përmes aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive, po përmirësonte infrastrukturën rrugore falë fondeve të bashkisë e mirëmenaxhimit të taksave vendore, po u përgjigjej problemeve të qytetarëve nga qendra e qytetit deri në fshatin më të largët;
Në një kohë kur, vit pas viti, po rriste performancën, të ardhurat dhe po shfrytëzonte më mirë potencialet e saj;
Në një kohë kur Bashkia Memaliaj po arrinte të mirëmenaxhonte çdo qindarkë, dhe në një kohë kur qeveria duhej të investonte në infrastrukturën rrugore, ujore, energjetike dhe arsimore për ta zhvilluar më tej këtë bashki, i dha shuplakën më të hidhur duke propozuar shkrirjen e tij.
Komisionit që e sheh Bashkinë e Memaliajt si barrë buxhetore dua t’i bëj një pyetje: për çfarë janë taksat e shqiptarëve? A janë për AKSHI-n, për tunelet që kushtojnë dhjetëra miliona euro më shumë se parashikimet, për koncerte luksi apo për pagesa charter? Apo janë për të garantuar zhvillimin dhe shërbimet për qytetarët? Me këtë vendim, keni tejkaluar çdo kufi në raport me banorët e Memaliajt.
Ndaj sot, banorëve të qytetit dhe të 53 fshatrave u them se jam plotësisht dakord me kërkesën tuaj për të protestuar. Jam dakord që sot, në orën 19:00, të mblidhemi te Ura e Vjetër, në hyrje të qytetit, për të mbrojtur të drejtën tonë dhe të ardhmen e Memaliajt.
Sot, më shumë se kurrë, në mbrojtje të Memaliajt.
Sepse ka vendime që nuk ndërtojnë të ardhmen e një komuniteti; thjesht fshijnë nga harta atë që nuk kanë ditur ta zhvillojnë.