AKTUALITET, 5 September 2026, 19:12

Vajza e Mirush Kabashit kandidon në Kanada për Këshillin Bashkiak: Politika është shërbim, mbështes protestat në Shqipëri

Mendi Kabashi, vajza e aktorit të njohur shqiptar Mirush Kabashi, ka hyrë në garën politike në Kanada, ku kandidon për një vend në Këshillin Bashkiak të Mississauga-s, në Ontario.

Kabashi do të garojë në zgjedhjet lokale të 26 tetorit, në një zonë me rreth 65 mijë banorë. Fushatën e saj ajo po e zhvillon kryesisht në terren, duke trokitur derë më derë dhe duke bashkëbiseduar me qytetarët për problematikat e komunitetit.

“Politika lokale nuk është ideologji, është shërbim”, shprehet Mendi Kabashi, duke theksuar se kandidimin nuk e sheh si një ambicie personale, por si një mundësi për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të sjellë një përfaqësim më të madh të shqiptarëve në jetën publike të Kanadasë.

Rrugëtimi i saj ka nisur që në moshën 17-vjeçare, kur filloi studimet në Akademinë Ushtarake në Modena të Italisë. Më pas, ajo punoi si këshilltare ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa sot jeton dhe punon në Toronto, e angazhuar në menaxhimin e komuniteteve.

Duke folur për lidhjen me të atin, Mendi Kabashi tha se beson se Mirush Kabashi do të ishte krenar për të.

“Dua të vazhdoj trashëgiminë e tij duke lënë një emër të mirë, duke qenë në shërbim të qytetarëve të komunitetit ku jetoj dhe t’u shërbej atyre me dinjitet, përulësi dhe devotshmëri”, tha ajo.

Kabashi tregoi se gjatë fushatës ka marrë mbështetjen e qindra banorëve, të cilët kanë pranuar të vendosin në banesat e tyre materialet promocionale të kandidaturës së saj.

“Shumë njerëz më thonë se me këto kualifikime duhet të kisha kandiduar për kryetare bashkie dhe jo për këshilltare bashkiake. Unë u them: herën tjetër”, rrëfeu ajo me humor.

E pyetur edhe për zhvillimet politike në Shqipëri, Mendi Kabashi tha se aktualisht nuk e sheh veten të angazhuar në politikën shqiptare, por u shpreh në mbështetje të protestave dhe të drejtës së qytetarëve për të ngritur zërin.

Ajo tha se qytetarët shqiptarë po shprehin pakënaqësitë e tyre dhe se e mbështet të drejtën e tyre për të protestuar.